VIDEO-SYRI TV/ Vrasja në Peqin, pse u arrestua djali i xhaxhait dhe fqinji i viktimës

Dy persona, të dyshuar si bashkëpunëtor të autorit të vrasjes së Albi Bashaliut në fshatin Gjoçaj të Peqinit janë arrestuar sot nga Policia. Mësohet se në pranga kanë rënë Veiz Bashaliu dhe Mikel Xhaja, banues po në fshatin Gjoçaj.

Sipas BW, Veiz Bashaliu, 41 vjeç, është djali i xhaxhait të viktimës dhe Mikel Xhaja, 30 vjeç, është fqinji i tij.

"Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.

Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28.12.2021, rreth orës 01:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi Albi Bashaliu.

Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.

Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore," njoftoi Policia e Elbasanit.