Deputetja kosovare: Tezja ime vdiq për shkak të ndaljes së energjisë, ishte në oksigjen

Prishtinë - Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku ka thënë se tezja e saj ka vdekur për shkak të reduktimeve të energjisë me të cilat po përballet Kosova.

Bunjaku tregoi se tezja e saj ishte me oksigjenoterapi dhe duke u trajtuar në shtëpi dhe si pasojë e ndaljes së rrymës kishte mbetur pa oksigjen duke i shkaktuar kështu përkeqësim të gjendjes dhe duke humbur jetën.

”Mua para dy jave më ka vdekur tezja, ka qenë me oksigjenoterapi dhe ka qenë në shtëpi kur është ndalur rryma, derisa ka ardhur ndihma e parë ta marrë.

Ajo nuk ka mundur të rrijë asnjë moment pa oksigjen dhe iu përkeqësua gjendja dhe ka vdekur. Kjo ka ndodhur prej ndaljes së rrymës sepse ndalja e oksigjenit ia ka dëmtuar mushkëritë edhe më shumë e derisa e kemi dërguar në spital, të nesërme ka vdekur. Ndoshta kjo nuk është shkak, por mjekët e kanë konstatuar.

Mua me mbeti merak. Sikur të kishte rrymë ajo do të vazhdonte të jetonte edhe më tutje me përkujdesjen e mjekëve, por koha derisa ne e kemi dërguar në emergjencë e ka përkeqësuar gjendjen edhe më shumë”, ka thënë Bunjaku në Kanal10.