Andri Shevçenko në listën e të infektuarve me COVID te Xhenoa

Andri Shevçenko shpresonte që te Xhenoa do të bënte hapin e madh në karrierën e tij si trajner, pas etapës së ndërprerë në mënyrë të papritur te Ukraina.

Por aventura e parë në Serinë A nuk po shkon siç e priste tekniku ukrainas.

Sikur të mos mjaftonin paraqitjet e dobëta të ekipit që rrezikon ende rënien nga kategoria, tashmë në klub është përhapur edhe një valë infektimesh që ka përfshirë edhe ish-sulmuesin.

Ka qenë vetë klubi ai i cili bëri të ditur se pas kapitenit Krishito, në listën e të infektuarve është pikërisht edhe Shevçenko.

Nuk bëhet e ditur situata e fituesit të “Topit të Artë” në vitin 2004, por është bërë e qartë se si ai, si Krishito, kishin nisur menjëherë zbatimin e protokollit, që nënkupton izolimin e plotë në banesat përkatëse nën monitorim të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore.

Ndërkohë, një tjetër legjendë e Milanit si Mauro Tasoti, i cili është asistent i Shevçenkos, do të drejtojë stërvitjen e Xhenoas derisa ukrainasi të kalojë telashet me virusin.