Vlorë: Këta janë fëmijët e Lulzimit dhe këto fytyra të vogla quhen Uri, Skamje, Mjerim, Përbuzje dhe Terr!

Kjo është familja e Lulzim Veshajt në Vlorë! Kjo është familja që jeton Mesjetën në mesin tonë. Të shtatë pjesëtarët e saj marrin frymë në një dhomë të gjithë bashkë të rrënojës së ish-Shtëpisë së Oficerëve në Vlorë, pa dyer, pa dritare, pa energji elektrike, në ngricë.

Në këto ditë të ftohta, vuajtja është edhe më e madhe për ta, për pesë fëmijët e familjes Veshaj që jetojnë në errësirën e një godine ku thuajse në qiell të hapur, ku çdo gjë që bie jashtë, bie edhe brenda banesës  ku ata jetojnë, njofton gazetari i SYRI TV.

Shpresa dhe dëshira nuk janë zhdukur ende nga sytë e fëmijëve, që  ëndërrojnë të kenë një shtëpi të ngrohtë, të kenë ushqim dhe rroba për të veshur. Ata nuk ekzistojnë për institucionet shtetërore, ata nuk nuk ekzistojnë për bashkinë e qytetit, ata nuk ekzistojnë për Shërbimin Social,

Ëngjëlli i tyre është vetëm gjyshja, që i ushqen nipërit e mbesat me pensionin që merr, ndërsa  babai Lulzim Veshaj detyrohet të dalë çdo ditë të mbledhë mbetje plastike nëpër kazanët e qytetit që të nxjerrë bukën e gojës për pesë fëmijët e tij.

Makthire Veshaj, nëna e fëmijëve, me origjinë kosovare, shprehet se e ka shumë të vështirë të shikojnë fëmijët që vuajnë nga uria dhe jetojnë në atë godinë pa dritare, pa ujë, pa drita. Ka pasur ditë që fëmijët kanë fjetur dhe pa ngrënë, edhe në të ftohtë.

Dëshira e nënës është që të ketë një banesë ku fëmijët e saj të rriten si të gjithë fëmijët e tjerë. Të vegjlit e saj nuk shkojnë as në kopësht, as në shkollë për shkak të kushteve, ata  nuk kanë rroba, jo më mjete shkollore.

E bija tregoi se në shkollë nuk mund të shkojë se e talli, “pasi ne jemi të varfër dhe nuk kemi rroba të veshim”.

Dëshira e saj është të ketë një shtëpi dhe kur të rritet të bëhet mësuese. Ah sikur edhe natën e Vitit të Ri ta kalonte në një shtëpi të ngrohtë, me derën mbyllur, me ushqime në tryezë, si ata fëmijë që ajo i shikon të kalojnë përpara saj çdo ditë, të veshur bukur e me prindërit prej dore.

Festat duket se janë për të tjerë, por jo për atë, jo për vëllezërit e e motrat e saj, sepse kjo natë sonte do të kalojë njëlloj sit ë gjitha nesët e jetës së saj dhe Viti  i Ri, po njësoj në atë errësirë dhe të ftohtë.

Gjyshja e saj flet butë. Mirjane Veshaj përlotet kur e sheh çdo ditë si nipërit dhe mbesat e saj jetojnë në këto kushte, në një vend si ky pa ujë, pa drita, pa dritare. Ajo nuk e duron dit atë dhimbje, por del e kërkon borxhe nëpër dyqane që të ushqejë së paku nipërit dhe mbesat.

Godina e Shtëpisë së  dikurshme të Oficerëve është e pushtuar dhe  nga mbeturinat, e rrezikshme edhe për përhapje sëmundjesh midis familjeve të mjera në skamje që jetojnë po si ata.

ÇDO QYTETAR QE ESHTE I INTERESUAR PER TE NDIHMUAR FAMILJEN TE KONTAKTOJE NE SYRI TV