Shpërthim në stacionin elektrik të KEDS në Prishtinë, një i plagosur

Një punëtor i zyrave të kompanisë së distribuimit të energjisë në Prishtinë (KEDS-it)  është lënduar në shpërthimin që ka ndodhur në nënstacionin që furnizon me energji elektrike lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili e ka konfirmuar se punëtori është jashtë rrezikut për jetë.

“Gjatë procesit të rregullimit të një prishjeje që furnizon një pjesë të lagjes Ulpiana ka ndodhur një aksident në nënstacionin Prishtina 6 110/10KV. Si pasojë e këtij aksidenti një punëtor i KEDS-it është lënduar. Fatmirësisht, sipas informative që kemi marrë nga emergjenca, punëtori ynë është jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Buzhala.

Ai ka thënë se pas shpërthimit ky nënstacion ka dalë jashtë funksionit dhe për momentin lagjet që furnizohen nga ai kanë mbetur pa energji.

“Nënstacioni për shkak të këtij aksidenti për momentin është jashtë pune. Ky nënstacion përfshinë daljet që furnizojnë qendrën, Ulpianën dhe një pjesë e Bregut të Diellit, Dardanisë dhe Aktashit. Ekipet tona tanimë janë duke punuar në rregullimin e prishjes dhe energjizimin e nënstacionit”, ka thënë Buzhala.