VIDEO/ Denoncim i fermerit në Fier: Më kanë helmuar delet me lëndë kimike

Një fermer nga Fieri në zonën e Shtyllasit pretendon se i kanë helmuar delet. Sinan Hajdari i cili ka në total 350 krerë dele, tha për mediat se ka dyshime se në stan i kanë hedhur helm kimik. Për pasojë deri më tani kanë ngordhur 5 dele ndërsa shumë të tjera janë në gjendje të rëndë. Sinani shprehet se ka dyshimi se helmimi është bërë nga dora e njeriut për shkak se dy ditë më parë ka pasur edhe një konflikt për të cilin ka bërë denoncim në polici.

“Jam Sinan Hajdari. Jam fermer në zonën e Shtyllasit. Dje më janë helmuar 5 krerë bagëti dhe shumë të tjera i kam në gjendje të rëndë në stallë. Dyshoj se helmimi është i qëllimshëm për shkak të një konflikti që më ka ndodhur dy ditë më parë në këtë zonë që kemi pasur probleme me policinë. Dyshoj se është i qëllimshëm nga këta persona. Kam shumë kohë në këtë zonë dhe asnjëherë më parë nuk kam pasur probleme.

Kam 13 vjet në këtë zonë dhe nuk më ka ndodhur asnjëherë. E kam denoncuar në polici. Dyshoj te ata persona. Mund të jetë helmim kimik. Janë dërguar mostrat në laboratorin e Tiranës. Pritet përgjigja e analizave. Ndihme i rrezikuar sepse unë në këtë zonë jam në vazhdimësi dhe ndihem shumë i kërcënuar. Unë i çoj atje ku kullosin dhe marrin helmim atje. Për mua është dëm i madh ekonomik. Janë dhe shumë të tjera në gjendje të rëndë dhe mund të ngordhin. Dyshimet janë se është helmim i qëllimshëm”, thotë ai.