Futbolli italian në zi, 18 vjeçari ndërron jetë në fushën e lojës

Tragjedi në stadiumin “Beppe Viola” në Torino. Futbollisti i Cit Turin, Adrien Sandjo ka ndërruar jetë në fushën e lojës. Kamerunasi i cili ishte vetëm 18-vjeçar ka qenë i grumbulluar me Përfaqësuesen e Regjionit U19 të Piemontes teksa në një moment të caktuar gjatë ndeshjes së të enjtes ka humbur ndjenjat në fushë si pasojë e arrestit kardiak.

Edhe pse ndërhyrja me anë të defibrilatorit ka qenë e shpejtë, e po ashtu është bërë e pamundura edhe në spital, sërish lojtari nuk ia ka dalë të mbijetojë. Sakaq, presidenti i Cit Turin, Angelo Frau ka treguar edhe gëzimin e madh të Adrien pasi ia kishte dalë të grumbullohej me U19-tën e Regjionit të Piemontes.

“Disa ditë më parë ia komunikuam Adrienit faktin se do të ishte i grumbulluar me Regjionin e Piemontes dhe ishte në qiellin e shtatë, ishte si të shihje lumturinë në një person fizik. Por, për fat të keq duke vrapuar pas topit, u këput në mënyrë të papritur për shkak të një problemi shëndetësor dhe nuk mundi t’ia dalë”, u shpreh Frau.