VIDEO/ Banorët e Laprakës djegin gomat: Projekti i Unazës korruptiv, të hetohet nga Prokuroria

Banorët e Laprakës i janë kthyer sërish protestave këtë të mërkurë.

Ashtu si në protesta të tjera, protestuesit kanë djegur goma dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve, në shenjë të revoltës.

Banorët shprehen kundër devijimit të Unazës së Madhe në kryeqytet. Nga ky projekt, mund të prishen 700 shtëpi.

Gazetari dhe aktivisti Bled Marku, foli sërish në këtë protestë.

“Kjo është një aferë korruptive dhe po favorizohen njerëz me pushtet dhe njerëz të parasë. Ky projekt ka nevojë të hetohet se përse ka ndryshuar.

Ky projekt do niste në fillim të muajit dhjetor. Denoncimet në media bënë që t’i shtoheshin edhe disa milionë euro këtij projekti, njëherë pesë dhe njëherë dhjetë, për arsye që nuk dihen.

Pritet që brenda pak ditësh të miratohet edhe tenderi. Nga momenti që miratohet tenderi deri në përfundim, jemi të gjithë në mëshirë të fatit. Ky është projekt korruptiv dhe nuk kuptoj arsyen se pse lihen këta njerëz, pa ua dhënë një përgjigje. Në media flitet shpesh për ne, si njerëz të ndershëm të këtij vendi”, deklaroi ndër të tjera Bled Marku.