Pentagoni i hedh poshtë akuzat e Rusisë se po dërgon kimikate ushtarake në Ukrainë

Pentagoni ka mohuar kategorikisht akuzat e Rusisë se firmat private amerikane të sigurisë po dërgojnë kimikate në Ukrainë.

Të martën, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se kompanitë amerikane dërguan "tanke me lëndë kimike të paidentifikuara" në Ukrainën Lindore të shkatërruar nga lufta për të "kryer provokime", sipas mediave shtetërore ruse. Kur u pyet në lidhje me komentet e Moskës, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby tha se akuza e Shoigut ishte "plotësisht mashtrim".

Ministri rus Shoigu pretendoi gjithashtu se 120 punonjës të firmave amerikane po operojnë në dy fshatra të Ukrainës, duke trajnuar trupa dhe duke ngritur pozicione zjarri në ndërtesa banimi dhe objekte të ndryshme.

Një grumbullim i supozuar i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën në fillim të këtij muaji ngjalli frikën për një pushtim të mundshëm.

Kremlini e mohon se po planifikonte ndonjë pushtim në Ukrainë. Moska fajëson Shtetet e Bashkuara dhe zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore për nxitjen e tensioneve. Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se prania e çdo sistemi raketor të SHBA-së ose NATO-s në Ukrainë është "sfida më serioze" për sigurinë e vendit të tij.

Putini ka bërë vazhdimisht presion për garanci ligjërisht të detyrueshme që duhet ta përjashtonin zgjerimin në lindje të NATO-s dhe do të zmbrapsnin vendosjet e saj ushtarake në Evropë. “Ajo që po ndodh tani, tensionet që po krijohen në Evropë është faji i tyre (SHBA-së dhe NATO-s) në çdo hap”, tha Putin. “Rusia është detyruar të përgjigjet në çdo hap. Situata sa vinte e përkeqësohej e përkeqësohej, përkeqësohej e përkeqësohej. Dhe ja ku jemi sot, në një situatë kur jemi të detyruar ta zgjidhim disi."