KAFE SHQETO/ Kraja: Diplomaci e gënjeshtërt për 'Open Ballkan', heqja e kufijve do të thotë Jugosllavi e re!

Eksperti i ekonomisë Akil Kraja ka shpjeguar sot se për iniciativën “Open Ballkan” po bëhet një diplomaci e gënjeshtërt dhe shumë abuzive, pasi nën të ashtuquajturat marrëveshje ekonomike me interes të përbashkët, qëllimi real mbetet krijimi i një poli ekonomik në Ballkan që është Serbia. Heqja e pikave kufitare, heqja e traut fizikisht, sipas ekspertit, nënkupton krijimin e një Jugosllavie të re, të cilën nuk e dëshiron askush, ndaj iniciativa po maskohet si "Ballkan i Hapur" duke ftuar në të shtete si Italia dhe Hungaria në marrëveshje administrative, si psh. bashkëpunim për katastrofat apo veterinarinë!!!

Dhe për ta kuptuar edhe më mirë dimensionin politik të kësaj “nisme” ballkanike, Kraja vuri në dukje faktin se në bilancet e saj tregtare, ekonomike e gjithfarë, Serbia vazhdon ta përfshijë Kosovën në përllogaritje! Ndiqni gjykimin e z. Kraja i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” nga gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri:

Kafe Shqeto: Z. Kraja, flitet që “Open Ballkan” është një iniciativë që dukshëm i jep mbështetje faktorit serb në Ballkan. Ku duket ky pretendim në marrëveshjet e firmosura ditën e djeshme?

Akil Kraja: Duke qenë se është çështje ekonomike, më mirë se shifrat nuk ka asnjë argument tjetër. Serbia eksportoi në vitin 2020, rreth 19 miliardë USD eksporte, kurse Shqipëria 2,5 që do të thotë se kemi të bëjmë me një disbalancë ekonomike shumë të madhe, pothuajse dhjetë herë, e cila bën që të kemi realisht një motor ekonomik dhe një portofol shumë të diversifikuar -  Shqipëria si partner eksportues për Serbinë renditet në vendin e 44-t, që është poshtë, ndërsa për Shqipërinë, vendet e Ballkanit , Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Serbia përfshirë edhe Bosnjen, hyjnë në 50-shen. Pra, ne jemi absolutisht shumë të koncentruar në Ballkan, bëjmë tregti në veçanti të produkteve tona bujqësore, por edhe të mineraleve etj. ndërkohë që Serbia ka një treg që mund ta themi botëror, shumë herë më botëror se Shqipëria. Në këtë sens mund ta themi me plot gojën që shifrat e tregojnë që ne do të humbim besoj nga kjo marrëveshje.

Nëse shohim më pas edhe balancën tregtare, kush importon dhe eksporton më shumë , kemi një diferencë jo të vogël. Po, ne kemi eksportuar, por faktikisht ne importojmë më shumë nga Serbia, që do të thotë se dhe në këtë variant dalim të humbur.

Elementi i fundit që më bëri shumë përshtypje dhe për të kuptuar dimensionin politik se si dhe ekonomia është politikë në fund të ditës, teksa po ndiqja shifrat nga Oorganizata Botërore e Tregtisë, në të dhënat e  tyre që vijnë edhe nga një database e PD-së, Serbia e përfshin ende Kosovën në përllogaritje. Sepse ju e dini, Kosova, pavarësisht atij asteriksit të famshëm, në shumë studime e raporte,  si pjesë statistikore, përfaqësimi etj. rezulton ende një treg i rëndësishëm për Serbinë dhe realisht do të ta mbyste.

Kafe Shqeto: Pamë gjatë takimit të djeshëm, shtrimin e disa shinave ekonomike të këtij bashkëpunimi mes tri vendeve në Ballkan po nuk pamë faktorin njerëzor, as fjalën ndjesë, as fjalën njohje, minimalisht simpati për humbjet..

Akil Kraja: Dua të saktësoj: “Nuk ka asgjë ekonomike në këtë marrëveshje” dhe ky është problem realisht.  

Kafe Shqeto: Më vranë veshët fjalët “mallra, qarkullime mallrash”, ndërkohë që ne si kombe përbëhemi nga njerëz që kemi historinë tonë dhe mendoj se duhet një bazament njerëzor që kalon nga falja tek dëmshpërblimi e më pas tek bashkëpunimi ekonomik. Sa sukses do të ketë një marrëveshje e tillë me injorim të faktorit njerëzor?

Akil Kraja: Duhet të kuptojmë që në Bruksel dhe në Evropë po shkulin flokët nga niveli i injorancës që po rrethon “Open Ballkan”. Në momentet që u cituan vende anëtarë të BE-së si Italia apo Hungaria,  duhet të themi se këtu po bëhet një diplomaci jo e sinqertë, e gënjeshtërt, abuzive, shumë abuzive.  BE-ja është një bllok shumë i unifikuar që do të thotë se tarifat doganore janë të centralizuara nëpërmjet Komisionit Europian, i cili është anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të thotë se kur ti negocion një tarifë doganore me një shtet anëtar të BE-së, nuk ekziston si mundësia, se ti flet për gjithë bashkimin në tërësi.

Ndërkohë në Shqipëri dhe në Ballkan po flasin për këtë që thatë ju, për mallra, se ky është qëllimi real i gjësë, që të kemi një pol ekonomik në Ballkan që është Serbia, që të ketë mundësinë dhe këto janë pjesë e teksteve të deklaratave të zyrtarëve ballkanikë që të kenë mundësi të tregtojnë në Ballkan pa pika doganore, pa pika kufitare. Duke parë që të heqësh kufijtë do të thotë të krijosh një Jugosllavi të re, këta futën elementë që prekin p.sh. bashkëpunimin mbi katastrofat, veterinarinë, elementë administrativë që s’kanë të bëjnë fare me ekonominë. Dhe përsëri po e shohin që kanë një rezistencë të madhe sepse askush nuk e do rikthimin e Jugosllavisë.

Atëherë, çfarë bëjnë?! Hajde të fusim dhe Italinë dhe Hungarinë e të jeni të bindur: Jo për tregun, po mbase për ndonjë proces që ka të bëjë me marrëveshjet veterinare për ndonjë vaksinë për lopët serbe apo lopët shqiptare; mbase Hungarinë  për ndonjë flotë civile aviacioni kundra zjarreve. Pra, tema bashkëpunimi civil. Duke futur partnerë europianë për këto tema civile, këta duan të legjitimojnë termin “Open Ballkan”, që më pas të kenë mundësi të flasin për heqjen e tarifave doganore dhe kufijve, të heqin pikat doganore, të heqin fizikisht trarët brenda Ballkanit dhe kjo është mungesa e sinqeritetit e një iniciative.

Unë do ta mbështesja “Ballkanin pa kufij” se është e thellë është si Europa; ne do të futemi një ditë në Europë të gjithë së bashku me Serbinë, me Malin e Zi, me Kosovën e pavarur, me Maqedoninë dhe kur të jemi të gjithë brenda në BE, nuk dotë kemi trarë. Ne nuk kemi 30 vjet që kërkojmë Shqipëri si Jugosllavia, por Shqipëri si Europa.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni vazhdimin e intervistës me z. Akil Kraja dhe të ftuarin, analistin Enver Bytyçi.