Atentati me tritol në Vlorë, ja pistat ku po heton policia

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin me tritol ndaj Indrit Sadedinit në Vlorë të dielën e kaluar, 19 dhjetor pranë banesës së tij. Burimet bëjnë me dije për median se ka nisur hetim në 3 pista ku më kryesorja është ajo e një ngjarje të disa viteve më parë në Vlorë.

Ndërkohë, si përket automjetit të gjetur të djegur në Lushnje së fundmi, ende nuk ka të dhëna të përftuara nga ekspertiza për gjetjen e ndonjë prove që do ndihmonte grupin e hetimit, ndërsa është ende në fazë kontrolli.

Lidhur me dyshimet se atentati mund të jetë planifikuar në Lushnje për shkak të një ngjarje të ndodhur në këtë qytet disa muaj më parë, burimet thanë se momentalisht është e përjashtuar si pistë, pasi hipoteza e vetme ka qenë vetëm automjeti i gjetur i djegur në këtë rreth. Shënjestra e atentatit ka qenë bashkëpunues me grupin e hetimit por nuk ka dhënë emra konkret.

Nga Spitali i  Traumës, thonë se Indrit Sadedini ndodhet i shtruar në pavionin e Ortopedik jashtë rrezikut për jetën. Dëmtime i ka në dyja  këmbët, por mjekët besojnë se edhe këtë radhë i riu vlonjat ia ka hedhur pa pasoja të rënda fizike dhe se në ditët në vijim do të ketë rikuperim nga dëmtimi i rëndë që ka pësuar.