Ikën Merkel, Gjermania s'ndryshon qëndrim: Kundër Ballkanit të Hapur

Ndërrimi i Qeverisë në Gjermani nuk ka rezultuar edhe me ndërrim qëndrimi sa u përket iniciativave për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor, siç është “Open Balkan”.

Nga Berlini zyrtar theksojnë se i përkahin përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, duke vendosur theks të veçantë te gjithpërfshirja, teksa e përmendin edhe marrëveshjen për Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria e re e Gjermanisë, që drejtohet tashmë nga kancelari Olaf Scholz, të pyetur nëse e përkrahin iniciativën e “Open Balkan”-it, kanë thënë se Qeveria Federale e Gjermanisë i mbështet përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Teksa e thonë këtë, nga Berlini zyrtar theksojnë se është shumë e rëndësishme që një bashkëpunim i tillë të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjitha vendet e rajonit.

“Qeveria Federale mbështet përpjekjet për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.Është shumë e rëndësishme që ky bashkëpunim të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë për Gazetën Express.

Në fund të përgjigjes, ky zëdhënës i Qeverisë Gjermane thekson se përkrahja e fuqizimit të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arsyeja pse në mënyrë të veçantë e përkrahin Tregun e Përbashkët Rajonal, që është një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Prandaj, ne e mbështesim veçanërisht Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, të miratuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje në nëntor të vitit 2020”, ka përfunduar ky zëdhënës.