Atentati me eksploziv në Vlorë/ Autori lëvizi me një motor në zonë

Tri ditë pas atentatit me lëndë eksplozive në qytetin e Vlorës ndaj Indrit Sabedinit, Policia ka arritur të zbulojë një automjet të djegur në zonën e Fierit, me të cilën dyshohet se u larguan autorët e ngjarjes.

Bëhet fjalë për një automjet tip “Mazda”, i cili u gjet në afërsi të mbikalimit të “Parkut të Apolonisë”. Automjeti rezulton i djegur plotësisht, çka për hetuesit është e vështirë për të gjetur ndonjë provë materiale. Për më tepër, autori që vendosi lëndën shpërthyese pranë portës së garazhit të një pallati me qëllim eliminimin e 34- vjeçarit, ka qarkulluar në zonë me një motor, shkruan Panorama.

Ky veprim dyshohet se ka shërbyer për të humbur gjurmët dhe pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, është marrë nga automjeti duke u nisur në drejtim të qytetit të Fierit. Më pas, ata i kanë vënë zjarrin dhe janë larguar, duke humbur kështu gjurmët. Automjeti tip “Mazda” rezulton me targa te vjedhura, çka shton dyshimet se është përdorur pikërisht për kryerjen e atentatit.

Policia nuk ka ende një pistë për motivet e atentatit, i dyti që organizohet ndaj I(E)ndrit Sabedinit, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Ai ende nuk ka dhënë dëshmi për hetuesit rreth ngjarjes, për shkak se nuk ka qenë në gjendje të flasë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autori vendos lëndën eksplozive C4, por ai ka qenë me kapuç në kokë dhe me maskë kirurgjikale në fytyrë, çka e vështirëson së tepërmi identifikimin e tij. I riu, vendosi tritolin rreth 15 minuta para se të shpërthente, duke pritur që Sabedini të dalë nga banesa dhe të shkojë pranë automjetit të tij në garazh dhe të shtypë komandën e eksplozivit.