Kosovarët duhet të mësohen me kafshimet e qenve endacakë! - Një vëzhgim i SYRI KOSOVA

Nga mëngjesi e deri në mbrëmje, në çdo cep të Prishtinës, ‘shoqëruesit e palodhshëm’ të rrugës janë qentë endacakë. Ky problem në komunën e Prishtinës po vazhdon prej dia vitesh. Edhe pse ka shumë ankesa nga qytetarët e njëkohësisht edhe nga aktivistët për të drejtat e kafshëve, ende vazhdon të jetë pikë e pazgjidhur nga organet kompetente, shkruan Syri.net Kosova.

Jo vetëm frika që kaplon moshat e ndryshme të Prishtinës, jo shumë rrallë dëgjojmë edhe kafshime nga qentë e rrugëve, ku nga këto kafshime qytetarët përfundojnë në spitale. Këtë po e pohon edhe infektologu, Hamdi Ramadani i cili përmes një përgjigje drejtuar syri.net Kosova ka thënë që kjo situatë është shqetësuese. Ramadani tregon problemet që mund të vijnë nga kafshimi i qenit të rrugëve të cilat mund të jenë fatale për dikë nqë nuk mjekohet.

Kafshimi  nga qentë endacakë mund të jetë fatal

“Problemi i qenve endacak nuk është vetëm në Prishtinë, këtë problem e kanë pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Kafshimi nga qentë endacak mund të sjellë infektime shumë të mëdha, kjo sepse qentë e tillë ushqehen në mënyra të ndryshme, ani pse mund të jenë të vaksinuar, rreziku për infektim nga kafshimi i qenve nuk duhet lënë anash. Krejt kjo për shkakun që nëse nuk mjekohet mund të jetë fatale për secilin që është kafshuar.

Edhe nëse personi që kafshohet nga qeni nuk merr infektim të brendshëm, plaga mund të jetë shumë më e vështirë për t’u shëruar. Kësi raste kemi shpesh dhe mundohem që t’u japim antibiotikë e në disa raste edhe serum antitetanik”, është shprehur infektologu.

Në anën tjetër, edhe aktivistja vullnetare për mbrojtjen e kafshëve, Segja Vehapi ka pohuar se ka sulme nga qentë endacakë.

Por, Vehapi në këtë çështje nuk lë vetëm problemin që ballafaqohen qytetarët, ajo thotë se në gjendje të keqe janë qentë, ngase mosushqyerja dhe sjellja e keqe e njerëzve ndaj qeneve vjen edhe deri tek acarimi i tyre.

Është e vërtetë që ka raste të sulmeve por jo aq sa raportohen nëpër portale dhe media në përgjithësi. Si aktiviste jam vazhdimisht aktive duke ndihmuar qentë endacak me ushqim. Problemi kryesor i mos zgjidhjes së këtij problemi është se faji hidhet prej një këndi në tjetrin pra rrjedhimisht askush nuk merr përgjegjësi. Baza ligjore e bënë AVUK-un përgjegjës që të kujdeset për shëndetin dhe kontrollimin e kafshëve në Kosovë, pra përsipër e ka edhe procesin e Sterilizimit dhe Kastrimit.

Besoj, që është gjëja me e lehtë që komunat munden ta bëjnë, ata mund të angazhojnë inspektor të cilët fillimisht e bëjnë monitorimin e lokacioneve ku janë të banuara me qen endacak dhe kështu pastaj të angazhoj ndonjë zyrtar për ti ushqyer ata, për të vendosur ushqim etj. Duhet te ndjekim praktika te vendeve te botes, dhe për këto çështje besoj qe zyrtaret përgjegjës e dinë me mire se cilat janë ato- mirëpo fatkeqësia me e madhe është qe mungon vullneti edhe institucional edhe qytetar”, ka thënë Segja Vehapi për Syri.net Kosova.

Sipas aktivistes, zgjidhje duhet ofruar nga organet kompetente. Një ndër to Vehapi përmend Komunën e Prishtinës e cila duhet të bëj thirrje për mobilizimin e qytetarëve për t’i ushqyer qentë.

“Për këtë arsye shpresojmë shumë, që përgjegjësit të zgjohen nga gjumi dhe të kryejnë detyrat e tyre në mënyre që mos ti rrezikojnë qytetarët e rrjedhimisht as qentë nga urrejtja që iu mbillet njerëzve dhe pastaj i sulmojnë qentë.

Komunat duhet po ashtu te bëjnë thirrje për mobilizim te mundshëm qe qytetaret të cilët kanë mundësi t'i ushqejnë qenet neper lagje te tyre- zona të ndryshme, në mënyre qe të zbutet acarimin e tyre. Sigurisht qe kjo nuk është puna e qytetarit, por ndodhemi ne një situatë të mjerueshme prandaj kam një mesazh për qytetaret e Kosovës e po ashtu edhe për Komunat siç thash me larte”, ka thënë ajo.

Derisa vazhdonte diskutimi për një zgjidhje, Vehapi ka një mesazh për të gjithë qytetarët e vendit.

“Ndërsa për fund: E vetmja mënyrë që qentë endacak të mos jenë me një 'problem' në Kosovë, është fakti që qytetarët duhet ta pranojnë faktin se ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me ta”, përfundoi Segja Vehapi.

Avokati, Arianit Koci është një ndër qytetarët vullnetarë të Prishtinës i cili vazhdimisht ofron ushqim për qentë endacak. Së fundmi ai ka improvizuar një sofër për të gjithë këta qen që nuk kanë ‘kulm mbi kokë’.

Postimi i plotë:

Komuna e Prishtinës ka një përgjigje

Tutje, Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës të cilët kanë konfirmuar se në rrugë janë duke qarkulluar qentë agresivë.

Sipas Komunës, çdo vit qentë endacak merren në teren, trajtohen, shërohen dhe pas afatit ligjor lëshohen të lirë në vendin ku edhe janë marrë.

 “Komuna e Prishtinës në vazhdimësi i ka trajtuar qentë endacakë konform kushteve të përcaktuara me Ligjin nr.02/L-10 për kujdesin ndaj kafshëve, Udhëzimin Adminstrativ (MBPZHR) nr.04/2017, Udhëzimin Administrativ nr.01/2018  dhe kontratës të cilën e kemi në realizim. Në bazë të dokumenteve zyrtare që cekëm më lartë dhe kontratës që kemi realizuar këtë vit, qentë endacak merren në teren, trajtohen, shërohen dhe pas afatit ligjor lëshohen të lirë në vendin ku edhe janë marrë.

Me përjashtim të atyre kafshëve të cilat janë të rrezikshme apo paraqesin rrezik nga ndonjë sëmundje infektive ( me konstatim të veterinarit), të cilët nuk lëshohen të lirë por trajtohen në bazë të ligjit, në mënyrë që mos të paraqesin rrezik për qytetarë. Qentë endacak pothuajse janë duke lëvizur në tërë qytetin, ka prej tyre që janë edhe agresiv në raste të caktuara. Me qëllim të zvogëlimit të agresivitetit të tyre për shkak të urisë, Komuna i ka vendosur pesë pika ushqyese në qytet të cilat çdo ditë furnizohen me ushqim”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për Syri.net Kosova.

Pos kësaj, Komuna e Prishtinës thotë se largimi në tërësi është i pamundur, ngase nuk ka vend të veçantë të izoluar vetëm për qentë endacak.

“Por largimi i tyre në tërësi është i pamundur, ngase nuk ka vend të veçantë të izoluar vetëm për qentë endacak. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për numrin e madh të qenve endacakë dhe nevojës për parandalimin e rrezikut nga ta. Për këtë arsye komuna në vazhdimësi ka marrë hapa konkret ligjor për trajtimin dhe ushqyerjen e tyre.

"Me qëllim të rritjes së kapacitetit të trajtimit, kemi paraparë edhe ndërtimin e një strehimoreje për trajtimin e kafshëve endacake, e cila është anuluar dy herë, ne baze te proceduarve te prokurimit. Me këtë projekt planifikohet të bëhet zgjidhje afatgjatë për qentë endacak, sa i përket trajtimit të tyre. Por duhet të kemi parasysh që problemi me qentë endacak, nuk është vetëm në nivel lokal që prek Komunën e Prishtinës, por është në nivel vendi dhe numri i tyre është rritur në masë të madhe. Për zgjidhjen e këtij problem ne si Komunë e Prishtinës e kemi ngritur shumë herë këtë problem  deri në nivel qeveritar, në mënyrë që trajtimi i tyre të bëhet në nivel vendi përndryshe, nëse shkojmë në mënyrë selektive vetëm në Komunën e Prishtinës, efekti është në shkallë jo të kënaqshme”, thuhet në përgjigje.

Komuna e Prishtinës po ashtu thotë se këtë vit këtë vit në bazë të pozicionit buxhetor të planifikuar për trajtimin e qeneve endacak e kanë proceduar në fillim të vitit, por për shkak të ankesave lënda është në OSHP i cili organ nuk është ende funksional deri në emërimin e bordit të ri, prandaj nuk kemi kontratë për Trajtimin e qeneve endacak.​​

Kujtojmë që vitin e kaluar Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) mori buxhet në vlerë 1.3 milion nga Qeveria për vaksinimin dhe trajtimin mjekësor të qenve endacakë.