'Sanksionet shpallen bashkë me faktet'/ Zeldin: DASH nuk ka prova

Kongresmeni republikan, Lee Zeldin vazhdon të këmbëngulë se vendimi për sanksionet ndaj Sali Berishës është hakmarrje ndaj qëndrimeve kritike ndaj multimiliarderit George Soros.

Zeldin tha për portalin konservator amerikan, Free Beacon se Berisha po ndëshkohet se është mik i republikanëve dhe ish-presidentëve Bush.

Sipas tij, Departamenti i Shtetit nuk po ofron transparencë për këtë vendim dhe kjo është e dyshimtë.

“Pavarësisht kërkesave të shumta për një takim dhe informacion shtesë nga zyra ime, Departamenti i Shtetit ka dhënë vetëm përgjigje sporadike, të çuditshme që anashkalojnë pyetjet dhe nuk adresojnë veprimet specifike të zotit Berisha, që cilësohen si korrupsion apo për procesin e vendimmarrjes që administrata ka përdorur për të përcaktuar se sanksionet ishin të përshtatshme. Duke gjykuar nga përgjigjia më e fundit, është e qartë se ata nuk e ndjejnë nevojën për të qenë transparent me shtypin apo për të respektuar rolin mbikëqyrës të Kongresit mbi Degën Ekzekutive,” tha Zeldin.

'Refuzimi i administratës për të shpjeguar sanksionet- të cilat në shumicën e rrethanave shpallen së bashku me informacionin e detajuar se pse Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin një veprim të tillë- po nxit akuzat se Departamenti i Shtetit po kryen një fushatë politike hakmarrëse ndaj kriticizmit të hapur të Berishës ndaj Soros, një prej financuesve më të mëdhenj të Partisë Demokratike," shkruan gazeta.

Zeldin e përshkruan sjelljen e Departamentit të Shtetit si të papranueshme dhe të dyshimtë.

Që nga zbatimi i sanksioneve, Zeldin si pjesë e detyrave të tij mbikëqyrëse në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në tre raste të veçanta i ka kërkuar Departamentit të Shtetit që të dorëzojë dokumentet në lidhje me vendimin e marrë. Letra e tij e dytë e dërguar më 27 gusht, i kërkonte Departamentit të Shtetit të organizonte një takim me zyrtarin përgjegjës për hartimin e sanksioneve. Kjo letër mbeti pa përgjigje. Zeldin e rishqyrtoi çështjen me një letër tjetër më 24 nëntor, e cila po ashtu u injorua nga Departamenti i Shtetit.