Policia: Dy të arrestuar dhe 6 adoleshentë të ndaluar për djegien e flamujve serbë

Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar dy persona për djegien e flamurit të Serbisë dje në Tiranë dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë, 6 të mitur. Mbi ta rëndojnë dy akuza: “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.”

Shoqërimi dhe arrestimi i tyre ka ndodhur pas protestës që drejtoi lideri i PD, Sali Berisha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër paktit “Open Ballkan” të treshes  Rama-Vuçiç-Zaev që mbahet sot në Tiranë.  

Policia tha se strukturat e saj “pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.

Këta shtetas, - sipas Policisë, -gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.”

Duhet theksuar se ndalimi i të miturve në veçanti ka qënë i dhunshëm, pasi ata janë goditur nga Policia brenda në furgon në momentin kur po shoqëroheshin për në komisariate dhe njeri prej rasteve më flagrante u denoncua sot nga Syri.net.