Noka: Rama pjesë e një organizimi antishqiptar, Basha peng i tij

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, i ftuar në emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, deklaroi se Rama është pjesë e një organizimi antishqiptar, që quhet Ballkani i Hapur.

Noka theksoi se Basha sot është bërë peng i politikave të Edi Ramës.

“PD tregoi se interesi kombëtar është kthyer në prioritet absolut. Kjo protestë ka dimension tjetër. Arrestimi i minorenëve tregon fytyrën e regjimit, që në bashkëpunim me bravat, kishin organizuar mikpritjen e Slobodanit të ri.  Aleksandër Vuçiç vjen në Tiranë si kapo i një projekti ogurzi për shqiptarët në Ballkan.

Vuçiç nuk mund të vijë dot në Tiranë, kur as ka kërkuar ndjesë për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve. Rama është pjesë e një organizmi antishqiptar, sepse Ballkani i Hapur është Jugosllavi e re në kohë moderne. Edhe sikur rajoni të ishte në paqe totale, Ballkani i Hapur është favor për Serbinë dhe është rrënim për Shqipërinë. Kur Shqipëria merr pjesë në këtë iniciativë, kjo është vetëm tradhti kombëtare. Basha është peng i Ramës”, deklaroi Noka.