Nishani: Hajnia u bë bashkë me tradhtinë... Nuk pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon

Ish-presidenti Bujar Nishani, nga nga podiumi i protestës së sotme sulmoi qeverinë për aferën e inceneratorëve që sipas tij bashkoi hajninë me tradhtinë.

Nishani theksoi se në asnjë vend nuk ka ndodhur që një kompani të krijohet, regjistrohet dhe të fitojë tenderin për inceneratorët brenda një dite.

Nishani: Sot është një mbrëmje e veçantë në historinë e demokracisë. Një moment kritik dhe kthese për historinë e Shqipërisë. Sot e kemi mbushur me mijëra këtë shesh. Pranisë tuaj i bashkohen dhe qindra mijëra patriot anembanë globit. Ju iu ka bashkuar një mision i madh dhe fisnik, i vështirë por i thjeshtë për ta marrë përsipër: dalja zot për vendin tuaj. Ju u ka bashkuar misioni për të luftuar hajninë dhe tradhtinë. Prej 8 vitesh një qeverisje e mbrapsht nuk ka punuar asnjë sekondë për këtë vend, familjet tuaja, por vetëm për xhepin e saj dhe armiqtë e Shqipërisë. Prej 8 vitesh hajdutëria, skandalet na kanë imponuar që t’i kthejmë në jetën tonë të përditshme dhe së fundmi duke vënë në gjumë dhe opozitën. Afera e inceneratorëve, një pjesë e vogël e hajdutërisë së kësaj qeverie. Kush mund ta imagjinojë që mund të ndodhin vjedhje të tilla në sytë e ligjit, institucioneve dhe askush nuk përgjigjet. A mund të ndodhë që në një ditë të themelohet kompania, të regjistrohet, të fitojë tenderin dhe të marrë paratë. Ku e gjen kurajën hajnia. Hajnia nuk ka frikë ndaj ligjit ajo është motër e vëlla me tradhtinë.

Më tej, ish-kreu i shtetit shtoi se në protestën e sotme kundërshtohen dhe padrejtësitë që po i bëhen kombit shqiptar me “Ballkanin e Hapur”.

Për Nishanin nuk duhet lejuar që hegjemonia serbe të rikthehet sërish në rajon.

Nishani: Ne protestojmë kundër padrejtësive që i bëhen kombi shqiptar, jo vetëm ekzistencës, por dhe prosperitetit. Ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit, por promotorë të tij. Nuk mund të pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon që i ka kushtuar shumë paqes dhe rajonit. “Ballkani i Hapur” është projekti më i mbrapsht antieuropian dhe antiperëndimor.