Superliga/ Java e 14-të nis sot me Vllaznia-Dinamo

Vllaznia në sulm ndaj kreut, Dinamo për të dhënë një shkëndijë reagimi. Kjo është sfida që çel javën e 14-të të Abissnet Superiore këtë të premte.

Një Vllazni në krahët e entuziazmit të një serie pozitive ku në pesë ndeshjet e fundit ka siguruar 4 fitore dhe një barazim, i drejtohet “Elbasan Arenës” për t’u përballur me një emër të madh, por që këtë sezon nuk po ia del të ngrihet në lartësinë e tij, Dinamon.

Blutë vijnë në këtë sfidë në krizë të plotë, pas 3 disfatash radhazi ku kanë pësuar 7 gola dhe nuk kanë shënuar asnjë, me pozitat e trajnerit Shkëmbi që kanë nisur të lëkunden, dhe skuadrën në moment të vështirë psikologjik, bluve ju duhet të gjejnë menjëherë kthesën për të mos kompromentuar edhe më tej një moment që edhe kështu është shumë i rrezikshëm.

Te Vllaznia padyshim që do të kërkojnë të përfitojnë nga ky moment, skuadra e Brdaric mori një seri sinjalesh pozitive në fitoren e fundit me Skënderbeun që vinte pas një suksesi të rëndë ndaj Partizanit.

Vllaznia gjen golat dhe ndërkohë mund të krenohet edhe me një mbrojtje hermetike, pasi ka pësuar vetëm 1 gol në 4 takimet e fundit, lojtarët e stolit treguan se janë në lartësinë e duhur, dhe për më tepër për teknikun Brdaric rikthehen edhe Krymi e Gurishta, që bashkë me Aralicën kuotohen për tu rikthyer në 11-shen titullare.

Kapiteni madje i lejoi vetes edhe një premtim të rëndë në prezencën në “Big Brother” duke premtuar titullin e 10-të, mision që për ta arritur vendimtare është edhe kjo sfidë, pasi me një fitore Vllaznia do të ngjitej në kuotën e 26 pikëve, një më pak se kryesuesit e Tiranës duke rritur presionin ndaj rivalëve për titull.

Për Dinamon ndërkohë, problemet për Shkëmbin janë të shumta, rikthehet Isaevski, ish i kësaj sfide pas pezullimit, por skuadra përjeton një ngërç të vërtetë, nuk shënon asnjë gol prej 3 ndeshjesh, ndërkohë që pëson në mënyrë konstante.

Mbi të gjitha për skuadrën e Shkëmbit është një provë karakteri, të gjithë janë në apel për të mos lejuar që nëndetësja të fundoset.