Dora e Vuçiçit dhe kriminelët e tij në Kosovë

Zyra e Thesarit për Kontrollimin e Pasurive të Huaja (OFAC) e ShBA-së, identifikoi dhe imponoi sanksione ndaj “njërit prej figurave të korruptura më famëkeqe të Kosovës”, Zvonko Veselinoviç.

“Grupi i Krimit të Organizuar i Veselinoviçit është i angazhuar në skema të ryshfetit të shkallës së gjerë me zyrtarë të sigurisë së Kosovës dhe Serbisë të cilët u lehtësojnë këtij grupi trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar OFAC në një deklaratë për shtyp, shkruan Albanian Post.

Përveç Veselinoviç, në listën e sanksioneve është shënjestruar edhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviç, dhe biznesmeni kontravers dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, të cilët ndryshe mbajnë edhe epitetin e “krerëve të krimit në Veri të Kosovës”.

Biznesmenët Zvonko Veselinoviç dhe Millan Radoiçiç

OFAC njoftoi se të dy vëllezërit Veselinoviç “që nga viti 2017, kanë pasur marrëveshje me politikanë për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, t’u sigurojnë fitore politike kandidatëve të tyre, dhe të kontribuojnë me shuma të mëdha parash kandidatëve”.

Ndërsa, në këmbim të krejt kësaj, vëllezërit Veselinoviç, nga politikanët e asistuar do të merrnin “kontroll mbi disa zona për bizneset e tyre, ku do të mund të kryenin aktivitetet e paligjshme biznesore pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet serbe, dhe gjithashtu do të pranonin informacion pronësor të bizneseve për të ndihmuar investimet e bizneseve të vëllezërve”.

“Politikanët gjithashtu do të shpërblenin vëllezërit Veselinoviç duke punuar që t’u siguronin atyre kontratat më të mira infrastrukturore”. OFAC sanksionoi 24 kompani në Kosovë, Serbi, Kroaci, Bullgari, për të cilat tha se janë të lidhura me Veselinoviçin, Radojçiçin dhe 8 të tjerët e identifikuar.

Kurti e mirëpret, Vuçiç e dyshon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sanksionet amerikane i përshëndeti dhe i cilësoi si konfirmim të “legjitimitetit të veprimeve të Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabanduesve të mallrave në Veri”.

Kurti shënjestrimin e emrave të përvetshëm tha se “e mirëpret”, por edhe pohoi se ata janë “përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Ky sanksionim amerikan, sipas Kurtit, “është dëshmia më e mirë se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë, të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”.

Më i zbehtë qe reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin personat në fjalë janë të njohur edhe personalisht.

Publiku serb, ata i njeh si përfituesit më të mëdhenj të tenderëve nga Shteti i Serbisë.

Vuçiç deklaroi se “institucionet e vendit do t’i hetojnë këto akuza” ndaj Veselinoviç dhe Radoiçiç.

Vuçiç duke përuruar ndërtimin e një rruge. Kamionat mbprapa të kompanisë “INKOP” në pronësi të Veselinoviç. Kompania është sanksionuar nga OFAC.

Presidenti i Serbisë mohoi se partia e tij (SNS) është financuar përmes parave të këtyre biznesmenëve, dhe tha se “asnjë dinar nga ta s’e kemi marrur”, dhe siç përgjigjet rëndom ndaj akuzave, ai ofroi të shkojë në “poligraf”, si strehën e tij të fundit justifikuese.

Por e vërtetësia e fjalëve s’mund të vizatohet grafikisht. Frekuencat dhe pulset periodike të regjistruara në poligraf, janë mekanike. Te e vërteta, puna qëndron ndryshe.

Selia e krimit të organizuar, Veriu i Kosovës

“Së pari, vendosja e sanksioneve ndaj Veselinoviç dhe grupit [të tij] është interesante për disa momente”, pohon për Albanian Post, ish-Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa. “Është lista e parë e zezë që prodhohet për Ballkanin, e cila ka edhe ka qenë në pritje”.

Ylber Hysa shpjegon se “nominalisht këto masa janë ndaj Kosovës, por që kanë të bëjnë me eksponentë direkt të politikës së Beogradit, të afërm më partinë pushtet të Presidentit Vuçiç”.

“Por, sado që duket se është një mesazh indirekt që vie nga Kosova, në fakt adresë primare e ka Serbinë, por se tërthorazi e ka edhe vetë Kosovën, më specifikisht veriun e saj, i cili siç dihet me decenje ka qenë vend i përplasjes së ndërthurjes së këtyre vija nëntokësore kriminale, dhe të cilat gjithmonë kanë qenë të ndërthurrura me politikën”, elaboron ai.

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, dhe Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe ish-Drejtori i zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën”, Marko Gjuriç.

“Si të tilla”, vazhdon ai, “janë mesazh edhe për vetë Veriun e Kosovës, për mënyrën se si është mbajtur dhe kontrolluar Veriu”.

Sanskionet amerikane sipas Hysës janë goditje “për ata të cilët kanë menduar që përmes lidhjeve me njerëz të tillë që kontrollojnë krimin, kontrabandën dhe politikën janë partnerë për çfarëdo lloj menaxhimi të Veriut”.

“Qofshin ata nga Serbia, Kosova, por pse jo edhe prej një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, prfundon Hysa për AP.

Krimi i mëveshur me llogo etno-nacionaliste

Filozofi dhe profesori universitar, Blerim Latifi, thotë për Albanian Post se “krimi i organizuar në Veri ka lulëzuar falë faktit se atje, qysh nga përfundimi i luftës, institucionet e Kosovës kanë  pasur vështirësi në vendosjen e rendit ligjor”.

“Në anën tjetër Serbia, duke mos qenë në gjendje të vendosë atje strukturat e saj formale, ka ushqyer struktura ilegale, të cilat me kohë dhe me vullnetin e Beogradit, janë vënë nën kontrollin e grupeve kriminale”.

Makinat e dëmtuara janë fotografuar pas përleshjeve me serbët etnikë gjatë një operacioni policor kundër kontrabandës së mallrave, në Mitrovicë, Kosovë, 13 tetor 2021. Foto: REUTERS

“Veprimi i papenguar i tyre”, shtjellon më tej Latifi, ka bërë që “këto grupe të rriten dhe kanë marrë tiparet e organizatave të mëdha mafioze, të cilat të mbështjellura me petkun etnonacionalist e kanë kthyer veriun në një zonë të lirë të tyre”.

“Vendimi amerikan per t’i sanksionuar shefat e kësaj mafie etnonacionaliste serbe, ka parasysh pikërisht këtë dimension të tyre dhe kjo përbën një fitore të rëndësishme për Kosovën dhe qëllimin që edhe kjo pjesë e saj të futet gradualisht nën sundimin e ligjit”, përfundon filozofi, Blerim Latifi.

Të sanksionuarit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Vetëm në Kosovë, kompania RAD, e cila është në pronësi të Zvonko Veselinoviç, e që është shënjestruar nga OFAC, që nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, ka fituar plot 61 tenderë nga Qeverita e Kosovës me vlerë 5.6 milionë euro.

Edhe në Serbi, partia për Liri dhe Drejtësi (SSP), ka akuzuar Qeverinë e Serbisë e cila së fundmi ka lajmëruar zëvendësimin e shtyllave elektrike të drurit me të betonit, projekt ky i cili do të kushtojë 350 milionë euro, se projektin do ta merr një kompani për prodhimin e shtyllave të betonit “Betonjerka Aleksinaç”.

Kompania “Betonjerka Aleksinaç” është kompani e sanksionuar nga OFAC.

Një pjesë e listës së kompanive të sanksionuara nga OFAC

Edhe kompania “INKOP” në pronësi të Zvonko Veselinoviç, e cila është kompani e ndërtimit të rrugëve dhe autostradave, vetëm në dy vitet e fundit ka përfituar me nga 30 milionë euro në vit, ndërsa Presidenti Vuçiç edhe në profilin e tij në Instagram ka promovuar këtë kompani.

Ndërsa Radoiçiçin i cili akuzohet për vrasjen e politikanit të ndjerë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, Presidenti i Serbisë e kishte mbrojtur publikisht nga këto akuza.

“Millan Radoiçiç nuk është lule, por ai nuk ka marrur pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviçit. Kjo është vërtetuar përmes metodave të ndryshme të marrjes në pyetje, verifikimit dhe monitorimit të zotërisë në fjalë”, kishte deklaruar Vuçiç në një konferencë për media.

Eskponentë të opozitës politike, thonë se pritet një “D-Day” e sanksioneve të reja në janar të këtij viti, ku, siç thonë ata, “do të jetë edhe Andrej Vuçiç”, vëllau i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Urdhëri Ekzekutiv amerikan

Më 8 qershor 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14033 “Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të disa personave që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor” (“EO 14033”), duke zgjeruar regjimin e sanksioneve në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden

ShBA lëshoi ​​gjithashtu një fletë faktesh që detajon qëllimet e politikës së administratës amerikane.

Ndërsa Urdhrat Ekzekutiv të mëparshëm kufizonin sjelljen e sanksionueshme për të penguar zbatimin e marrëveshjeve rajonale të paqes dhe për të zvogëluar stabilitetin ose sigurinë e çdo zone në Ballkanin Perëndimor, EO 14033 zgjeron autoritetet e sanksioneve për përcaktimet për të përfshirë personat e përfshirë në aktivitete që:

“Kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor, pengojnë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të paqes, çojnë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor, ose lidhen me korrupsionin”.