Inceneratorët na kanë kushtuar 12 miliardë lekë, për 'Tiranën' do paguajmë deri në vitin 2046

Koncesionet e inceneratorëve u kanë kushtuar shqiptarëve deri më tani mbi 12 mld lekë. Për inceneratorin e Elbasanit, që sot është nën sekuestro, nga buxheti janë paguar, 4.1 miliardë lekë, duke përfunduar në mars të këtij viti.

Për impiantin e Fierit, janë paguar 3.6 miliardë lekë prej vitit 2017, dhe pritet të ekzekutohen edhe 630 mln lekë deri në vitin 2022. Fatura e fundit 63 mijë lekë, është paguar në nëntor.

Për projektin më të kushtueshëm të djegies së plehrave, atë të Tiranës, pagesat e kryera nga 2018 deri në fund të këtij viti llogariten në 4.5 miliardë lekë dhe kryhen në bazën e një tarife fikse për çdo ton mbetje që depozitohen, raporton EuroNews.

Pagesa e fundit nga bashkitë Durrës e Kavajë, janë kaluar nga thesari në muajin nëntor. Inceneratori i Tiranës në projektin fillestar ka kushtuar 17.1 miliardë lekë, por kostot janë rritur.

Pagesat e rregullta për inceneratorin e ngritur në Sharrë, do të vazhdojnë të kryhen deri në vitin 2046.