Skenari i përcaktuar, ja çfarë do të ndodhë me Christian Eriksen

Christian Eriksen do të largohet së shpejti zyrtarisht nga Interi, por jo nga futbolli.

Skenari është i përcaktuar: sipas “Gazzetta dello Sport”, mesfushori danez është i destinuar t’u thotë lamtumirë zikaltërve në javët në vijim, duke i dhënë fund, kuptohet pa fajin e tij, një përvoje që zgjati dy vjet.

Eriksen në fakt do të shpallet i papërshtatshëm për të luajtur futboll nga mjekët, pasi në Itali nuk lejohet që futbollistët me probleme në zemër të luajnë me defribrilator.

Tashmë mbetet në vullnetin e 29-vjeçarit përcaktimi i së ardhmes, pas asaj që i ndodhi më 12 qershor, gjatë Europianit, në ndeshjen ndaj Finlandës.

Me Interin, kuptohet që ndarja do të jetë me shtrëngim duarsh, por pyetja është ku do të mund të luajë Eriksen?

Ndoshta në Danimarkë, tek Odense, ku ai filloi karrierën e tij dhe ku ditët e fundit po stërvitet rregullisht për të mbajtur trupin në formë në formë.

Natyrisht, do të zhvillohen teste të tjera kardiologjike për të vlerësuar përfundimisht nëse danezi mund ta vijojë pa probleme aktivitetin si futbollist profesionist.