Para 4 muajsh ishte bërë baba, apeli prekës i familjes së të riut që vdiq pas aksidentit

Serxhio Vogli është 29 vjeçari i cili humbi jetën në spital më 24 nëntor 2021, katër ditë pasi ishte aksidentuar nga një automjet që drejtohej prej një 19-vjeçari.

I ndjeri kishte vetëm 4 muaj që ishte bërë baba. Familja e tij, në një letër publike, i ka bërë apel shtetit dhe drejtësisë për ndëshkimin e autorit që shkaktoi aksidentin që i mori jetën 29-vjeçarit.

‘Edhe pse ndjenja e pikëllimit do të mbetet përjetësisht tek ne si prindër apeli ynë i drejtohet shtetit të së drejtës, duke pritur ndëshkimin sipas ligjit për këdo qe nuk zbaton ligjet në këtë vend për të shmangur një fatkeqësi tjetër’, thuhet në reagimin e familjes Vogli.

Familja e viktimës akuzon edhe Policinë e cila në njoftimin për mediat lidhur me aksidentin shkruante se i aksidentuari ishte jashtë rrezikut për jetën, por sipas të afërmve të Serxhio Volgit, ai luftoi për jetën katër ditë në spital por nuk ia doli.

‘Prindërit e Serxhos janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell ,nuk do qeshin më si parë, jetën e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga nje djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim’, thuhet ndër të tjera.

Deklarata publike e familjes së Serxhio Voglit:

Qyteti i Durrësit te shtunën e datës 20 nëntor rreth orës 17:50 u bë dëshmitar i një ngjarje tepër të rëndë në lagjen Nr.1 rruga ‘Taulantia’, ku 19 vjeçari Ervin Late, aksidentoi për vdekje me automjetin e tij shtetasin Serxhio Vogli 29 vjeç.

Lajmi u shpërnda me shpejtësi nga burimet  e Policisë së Shtetit se shtetasi Serxhio Vogli është jashtë rrezikut për jetën.

E frikshme ta mendosh se si luajnë me fatin e njerëzve, si Don Kishoti me mullinjtë e erës.

Për katër ditë me radhë I riu Serxho Vogli luftoi me vdekjen, por nuk ja doli, duke ndërruar jetë me datën 24 nëntor 2021.

Ky nëntor i zi i mori jetën duke lenë pas prindërit e vetmuar ,motrën ,bashkëshorten dhe fëmijën që kishte sjellë në jetë para katër muajsh.

Prindërit e Serxhos janë të tronditur, për ta nuk do të ketë më diell ,nuk do qeshin më si parë, jeten e tyre e rrokullisi kjo tragjedi që nuk i erdhi nga Zoti, por nga nje djalë i papërgjegjshëm që përpara kënaqësive të moshës nuk mori parasysh asgjë, duke na dënuar kështu për të gjithë jetën në mjerim.

I ndjeri Serxhio ishte djalë i vetëm i familjes, i edukuar dhe shkolluar nga dy prindër të ndershëm që sakrifikuan për të gjithçka, duke i bërë krenar në të gjitha etapat e jetës.

Përcjellja për në banesën e fundit tregoj në heshtje, në respekt dhe ne lot se kush ishte i riu Serxhio, i cili u përcoll nga qindra te rinj e te reja dhe te gjithë grupmoshat e qytetit te Durrësit me dhimbje shumë të madhe dhe me mesazhe për jetën ‘Na lini të jetojmë’.

Iku jeta e një të riu në lulen e moshës, sapo kishte krijuar folenë e tij, iku shembulli ideal më i mirë që do ta kishte zili çdo prind, ju prenë ëndrrat që çdo ditë po i kthente në realitet.

Koha ikën shpejt dhe jeta vazhdon me ritmet e saj, disa kujtime nuk mund të harrohen dhe as te fshihen për të gjithë Ju miq, shok dashamires që ishit pjesë, që nga momenti i aksidentit deri në banesën e fundit.

Ju do të qëndroni gjithmonë në mendimet tona.

Respekt dhe Mirënjohje për të gjithë Ju.

Edhe pse ndjenja e pikëllimit do të mbetet përjetësisht tek ne si prindër apeli ynë i drejtohet shtetit të së drejtës, duke pritur ndëshkimin sipas ligjit për këdo qe nuk zbaton ligjet në këtë vend për të shmangur një  fatkeqësi tjetër.

Nga lindja e diellit deri në perëndim në çdo sekondë do të jemi me kujtimet e tua.