VIDEO-SYRI TV/ Komisioni i Rithemelimit futet në PD, Berisha: Basha ka kryer krime elektorale në parti

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të kësaj force politike, zhvilluan mbledhjen e parë në Selinë blu. Pas mbledhjes, ish-kryeministri Berisha mbajti një konferencë nga ku ftoi deputetin Lulzim Basha të reflektonte deri në referendumin e 18 dhjetorit. Berisha njoftoi gjithashtu se komisioni do të zhvillojë mbledhjet rregullisht në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa e cilësoi të turpshme padinë që deputeti Basha ka bërë në SPAK ndaj disa zyrtarëve të kësaj partie. Lideri historik i ftoi demokratët të votojnë në referendumin e datës 18 dhjetor, ku do të certifikohet vendimi i Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Bashës

Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit, i dalë prej Kuvendi të 11 dhjetorit, zhvilluan mbledhjen e parë pas themelimit në selinë e Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e komisionit janë shoqëruar me entuziazëm nga qindra anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.

Komisioni zhvilloi takimin në një nga sallat e mbledhjes në selinë blu, por deputeti Lulzim Basha që ndodhej në një takim në zyrat e partisë, kishte marrë masa për të penguar zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, duke hequr karriget nga salla e mbledhjes.

Pas mbledhjes, që zgjati rreth një orë, lideri historik i Partisë Demokratike, njëherazi një nga anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, mbajti një konferencë për mediat, ku gjatë fjalës së tij i dërgoi një mesazh deputetit Lulzim Basha.

Ish-kryeministri Berisha e cilësoi si të turpshme padinë që deputeti Basha ka bërë në SPAK për disa deputetë dhe zyrtarë të kësaj partie.

Më tej, lideri historik i Partisë Demokratike, akuzoi Lulzim Bashën për krime elektorale brenda partisë.

Ish-kryeministri Berisha ftoi anëtarët e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë të marrin pjesë dhe votojnë në referendumin e datës 18 dhjetor, ku do të certifikohet vendimi unanim i Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës nga pozita e kryetarit të Partisë.

Në fund të fjalës së tij, Lideri historik i Partisë Demokratike pati dhe një ftesë publike për kryetarët e degëve dhe anëtarët që ende janë të lëkundur për t`u bashkuar me vullnetin e anëtarësisë.

Ish-kryeministri Berisha paralajmëroi se Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike do të zhvillojë mbledhje rregullisht në selinë blu, megjithëse deri në datën 18 dhjetor anëtarët e komisionit do të jenë në terren për të organizuar mbajtjen e referendumit që do të certifikojë vendimet e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës.