Kongresi i Rithemelimit të PD dhe Këshillat e Gazbardhistëve

Kongresi i anëtarëve të PD, i Rithemelimit, e dha verdiktin e tij. Kryetari dhe gjithë struktura drejtuese e PD shkarkohet dhe në vend të tij u emërua një komision që do të kryejë të gjithë procedurat e riorganizimit të Partisë Demokratike Shqiptare.

Me statut dhe me rregullat e demokracisë, anëtarët e PD i thanë një pamje tjetër situatës në vend. Thjesht e zgjuan forcën e  reagimit duke nisur nga vetja e për të vijuar më tej...
Por të etur për shkarkime ish-ët e PD, tashmë pa asnjë atribut për të bërë as mbledhje e jo me shkarkime, kanë nisur një ravansh alla-enverist për të larguar, linçuar ata që paskan mbështetur “armikun” Berisha. Atë që themeloi dhe ndërtoi PD.

Duhet të shkarkohen shpejt, të gjithë krerët e degëve që nuk dashurojnë Bashën. Duhet të largohen të gjithë sekretarët që nuk i binden shokut Bardhi. Duhet të çohen në internim të gjithë anëtarët e kryesisë që kanë thënë se Basha nuk e sjell PD në pushtet, se ai do ta sjellë një ditë, ndoshta pas 45 vitesh. Pra kanë shkelur vijën e partisë.

Kjo është panorama në selinë e Partisë Demokratike që nga dita e Kongresit të Rithemelimit e deri sot. Bëhen mbledhje për të zbuluar grupe armiqësore dhe çudia më e madhe është se këto lloj sjelljesh janë përkrahur edhe nga disa anëtarë të shoqatës së të persekutuarve politike. Dhe kundër kujt, atij dhe atyre që rrëzuan diktaturën... Çfarë ironie.

Thjesht, edhe SHBA edhe BE aty ishin kur ne jetonim të “lumtur” për 45 vjet nën regjimin e dhunshëm e barbar të komunizmit. Por vetëm më 1990, PD e themeluar nga Berisha dhe qindra-mijëra shqiptarë të tjerë çliroi shqiptarët nga burgu i madh dhe solli demokracinë që sot është e kërcënuar më shumë se kurrë nga bashkëpunimi Rama, Basha.

Por në selinë e PD ku janë akoma të strehuar të shkarkuarit nga 4446  delegatët votues të Kongresit të Rithemelimit dhe që kanë akoma vulën dhe mediat e Ramës përgatitet strategjia se si të godasim ato zëra të lirë që sulmojnë Ramën dhe që nxjerrin të palarat në shesh të mashtrimeve të njëpasnjëshme të Bashes dhe suitës së tij gazmore. Mashtrime që startojnë gjithmonë me frazën “Beteja jona sapo ka nisur”. Për të qeshur e për të qarë.

Ndërkohë që demokratët presin tjetër gjë, Gazbardhistët e PD si Vullnetarët e Enverit kanë kapur “bustin” e Bashës në krah dhe rrotullohen sa në një zyrë në tjetrën nëpër PD, dalin edhe deri në oborr, ndërrojnë ndonjë brave dere, numërojnë njëri-tjetrin disa herë brenda ditës për tu dukur shumë dhe sërish mblidhen në darkë për të shkarkuar ndonjë “kundërshtar”. 

Bile edhe njerëzit që kalojnë në trotuarin e bulevardit që kalon afër selisë janë zvogëluar, nuk kalojnë më andej se mund të dalë ndonjë e ti thërrasë për ndonjë mbledhje Këshilli, Kryesie, apo Grupi për të bërë kuorumin për ndonjë shkarkim nga të shkarkuarit. Dhe për të bërë këtë duhen sa më shumë njerëz. Qesharake.

Anëtarësia e ka braktisur deputetin Basha dhe Gazbardhistët e ekzaltuar nga prania e mikrofonave te medieve përballë tyre. Nuk ka Këshill ndrikullash që i shpëton. Politika është art dhe më shumë se askush aktorë të kësaj skene artistike janë njerëzit, pra qytetarët e lirë që për fatin e keq të Bashës dhe Gazbardhistëve, por për fatin e mirë të demokracisë, ishin në stadium me 11 Dhjetor.