Ina Zhupa i lexoi emrin, delegati Cekodhima: Sajesë, firma ime vetëm për 11 dhjetorin. Basha i ikur

Edhe delegatit të Partisë Demokratike Ceko Cekodhima nga Vlora i kanë falsifikuar firmën. 

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa lexoi dje emrin e Cekodhimës, kryetar grupseksioni i Radhimës, si firmëtar i Kuvendit të 18 dhjetorit. 

Por në një reagim për Syri.net, Cekodhima thotë se formulari i tij është falsifikuar, ndërsa deklaron se ka firmosur vetëm për Kuvendin e 11 dhjetorit, që u mblodh sot dhe mori vendime, ndër to edhe shkarkimin e Lulzim Bashës. 

Cekodhima thotë për SYRI-n se Basha duhet të largohet nga PD pas vendimeve të marra nga Kuvendi i anëtarësisë. 

"Sot u njoftova që Ina Zhupa ka lexuar emrin tim mbrëmë. Ky është një mashtrim. Unë kam firmosur vetëm për Kuvendin e 11 dhjetorit. Sot isha në Tiranë, votova dhe ika. Basha është i larguar tashmë", tha Cekodhima. 

Ai bëri publik edhe mandatin e delegatit të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit.