Berisha: Nuk ndalemi! S'do lejojmë influencat jo-perëndimore në vend

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, në fjalimin e tij në stadiumin AirAlbania, u ndal në disa momente të rëndësishme.

Ai tha se lëvizja e tij kishte ardhur për shkak se opozita e Lulzim Bashës ishte bërë njësh me qeverinë.

Duke u ndalur te vendimi i SHBA, Berisha nënvizoi sërish se nuk ka asnjë provë ndaj tij.

Ai tha se nuk ka ndërmend të ndalet në misionin e tij për demokratizimin e PD-së dhe rikthimin e saj në pushtet.

Berisha nënvizoi se orientimi i PD dhe i Shqipërisë do të jetë vazhdimisht ai euro-atlantik. Si një mesazh për Perëndimin, Berisha tha se nuk do të lejojë asnjë influencë lindore në vend.

Disa herë Berisha tha se ylli polar i vendit do të jetë integrimi, duke theksuar se qeverisja e tij ishte ajo e vetmja që e ka çuar përpara këtë integrim.

Berisha theksoi se qeverisja aktuale ka shënuar rekorde negative në fushën e krimit dhe korrupsionit, e megjithatë ka pasur mbështetjen e diplomatëve të huaj.

Duke ndarë burokratët nga shteti, Berisha tha se sulmet ndaj tij nuk vijnë nga SHBA, por nga mafia e Sorosit.

Berisha i bëri thirrje DASH që të heqë vendimin ‘non grata’ ndaj tij, duke e quajtur një gabim.

Në fund, Berisha foli sërish për rithemelimin e PD-së, duke theksuar se kjo gjë bëhet realitet sot edhe juridikisht.