Falsifikimi i firmave nga Basha dhe Bardhi, Spaho: Asnjë habi, mashtruesve ua japim përgjigjen nesër

Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi, në një dalje për mediat lexoi emrat e delegatëve, të cilët sipas tij kanë firmosur për 18 dhjetorin.

Mes emrave që lexoi ishte edhe Spira Vaso dhe Xhuljan Guçe. Të dy këta, kanë mohuar që të kenë firmosur për 18 dhjetorin dhe se njohin vetëm Kuvendin që do mbahet nesër.

Por deputeti i PD Edmond Sapho nuk ka shprehur asnjë habi ndaj këtyre deklaratave, pasi sipas tij është pjesë e karakterit të tyre të mashtrojnë për të mbajtur karrigen.

Në një prononcim për CNA.al, Spaho theksoi se Bardhi dhe Basha do marrin përgjigjen e duhur nesër nga delegatët e Kuvendit të PD.

Ai shtoi se pas rithemelimit të PD, Basha dhe kushdo që fabrikon falsifikime do shkarkohen nga postet e tyre. 

“Nuk habitem që ndodh kjo pasi njihet karakteri i këtyre njerëzve tani. Gjithçka e kanë të bazuar në falsifikim dhe mashtrim. E vetmja rrugë që kanë për të mbajtur karriget është duke vepruar në një mënyrë të tillë. E vetmja gjë me rëndësi për të është karrigja e tyre, jo partia në të cilën gjoja pretendojnë se e përfaqësojnë. Por përgjigjen do e marrin nesër nga delegatët e kuvendit të PD, ku ajo do të rithemelohet do të shkarkohet Basha, dhe ata të cilët fabrikojnë dhe falsifikojnë delegatët dhe ngjarje të tilla”, tha Spaho.