Inter frikësohet, probleme të reja financiare për Suning

Lajmet që vijnë nga Kina janë gjithmonë shqetësuese për grupin Suning dhe ushqejnë frikën se disa pasoja mund të vijnë edhe tek Inter.

E fundit është falimentimi i gjigantit të pasurive të paluajtshme, Evergrande , i cili ka qenë prej kohësh duke u përballur me vështirësi.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ndërkombëtare Fitch, e cila është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë me familjen Zhang dhe Suning, pasi në vitin 2017 i kishte dhënë hua afro 2,6 miliardë euro.

Në vitin 2020, pronarët e Interit kishin rinegociuar marrëveshjen me grupin imobiliar, ku për të garantuar likuiditetin e kompanisë Evergrande hoqën dorë nga kthimi monetar i borxhit, duke qëndruar aty si aksionerë.

Ajo situatë ndikoi në mënyrë të dukshme edhe te klubi i Interit. Problemet e gjigandit të tregut imobiliar, shkaktuan rritjen e borxheve të kompanisë Suning, duke qenë se vlera e aksioneve ka rënë në mënyrë të ndjeshme gjatë muajve të fundit.

Vlerësimet e agjencisë Fitch vetëm sa e kanë rënduar situatën financiare të pronarëve të skuadrës zikaltër. Kjo edhe pas njoftimit se qeveria e Pekinit mund të vendosë të mos ndërhyjë për të shpëtuar grupin nga borxhet.

Kjo çështje e ka goditur rëndë Jindong Zhang, i cili e kontrollon Interin nëpërmjet Suning Holdings Group, pikërisht kompanisë që me investimin në tregun imobiliar humbi afro 2,1 miliardë euro. Një situatë, në të cilën grupi Suning mund të jetë i detyruar të shesë Interin.