Përvjetori i KOK-ut në Komitetin Ndërkombëtar, ndahen shpërblimet për kampionet olimpike

Sot në përvjetorin e shtatë kur Komiteti Olimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, u organizua një ceremoni ku u ndanë shpërblimet për kampionet olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova e Distria Krasniqi dhe trajnerin Driton Kuka, si dhe 9 sportistët tjerë që kanë prezantuar Kosovën në këto lojëra, shkruan Syri.net Kosova.

Gjithashtu është bërë nënshkrimi i kontratave me 22 sportistë të rinj të bursave olimpike, për t’i mbështetur deri në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Hajrulla Çeku, Ministër i Sportit, Ismet Krasniqi, presidenti i KOK-ut, Driton Kuka, trajneri i xhudos, Nora Gjakova, medaliste e artë në LO Tokio 2020, përfaqësues të federatave dhe sportistët përfitues.

Ministri Çeku u shpreh se pas shtatë viteve anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Kosova ndihet krenare me sukseset e arritura.

“Sot pas shtatë vitesh me krenari dhe dinjitet mbajmë tre medalje olimpike me vetëm dy pjesëmarrje në Lojëra Olimpike verore. Muajve në vazhdim, për herë të dytë do të përfaqësohemi edhe në Lojërat Olimpike dimërore. Gjenerata të shumta të sportistëve kosovarë nuk e kishin këtë mundësi, andaj tani në këtë periudhë së bashku duhet të shkojmë në garat ndërkombëtare jo vetëm për pjesëmarrje por për të fituar. Ne shkojmë për të fituar sepse kemi dëshmuar që mundemi”, tha ministri mes tjerash.

Ndërsa kryetari i KOK-ut Krasniqi tha se “Anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar na mundësoi që sot të kemi medalje olimpike, jo vetëm kaq, por tri medalje dhe që të tria të arta. Majlinda, Nora dhe Distria e kanë vënë Kosovën në hartën e shteteve më të fuqishme botërore”.

Kurse trajneri Driton Kuka u shpreh se është kënaqësi që Komiteti Olimpik sivjet i ndan plot 22 bursa për sportistë që po i drejton drejt Lojërave Olimpike në Paris.

Ndërkaq, Nora Gjakova, kampione olimpike në emër të sportistëve përfitues u dëshiroi fat të gjithë sportistëve që po dëshirojnë ta fillojnë këtë rrugëtim dhe falënderoi KOK-un dhe institucionet për tërë mbështetjen.