Shtyhet Tottenham – Rennes, Leicester me plot 7 mungesa ndaj Napolit

Variantet e reja të koronavirusit po rikthejnë sërish gjendjen alarmante të pandemisë, teksa efektet po ndihen fuqishëm edhe në futboll gjatë këtij fillim-muaji.

Kështu mbrëmjen e të mërkurës u vendos që ndeshja mes Tottenhamit dhe Rennes, e vlefshme për Conference League dhe e planifikuar për sot në mbrëmje, të anulohet.

Shkak është bërë fakti që te Tottenhami janë raportuar 13 të prekur nga koronavirusi, pjesa më e madhe futbollistë, teksa lajmin për shtyrjen e ndeshjes e dha vetë klubi londinez, që thekson se data e luajtjes së saj mbetet për t’u vendosur në të ardhmen.

Edhe klubi tjetër anglez, Leicester ka raportuar disa të prekur nga koronavirusi, teksa trajneri Brendan Rodgers njoftoi se ka udhëtuar drejt Napolit pa plot 7 prej futbollistëve të ekipit.

Ndërkohë, Premier League po merr në konsideratë shtyrjen e ndeshjes së Tottenhamit në fundjavë, pikërisht për shkak të koronavirusit, që tashmë duker se tremb sërish.