Kryeministrja e Finlandës shkon në disko pavarësisht se ishte në kontakt me një pozitiv me COVID

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka ndezur polemika pasi shkoi në disko, pavarësisht se e dinte se kishte rënë në kontakt me një pozitiv me Covid. 

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, kur lideria e re socialdemokrate shkoi në një festë në një klub në Helsinki, menjëherë pas njoftimit se ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, me të cilin Marin është në kontakt të përditshëm, ishte infektuar me virusin. 

Pas kritikave, kryeministrja ka kërkuar falje në rrjetet sociale: "Duhet ta kisha vlerësuar më mirë situatën. Më vjen keq që nuk e bëra".

 Megjithatë, para se të kërkonte falje, kryeministrja u mbrojt duke deklaruar se fillimisht i ishte thënë që të mos ishte në izolim pasi kishte marrë dy doza të vaksinës, por më pas do të merrte një mesazh nga shërbimet shëndetësore dhe policia e sigurisë duke i thënë që gjithsesi të shmangë kontaktet sociale.

 Ajo nuk e kishte vënë re mesazhin e ardhur sepse kishte lënë celularin në shtëpi. 

Sipas raporteve nga BBC , kur të nesërmen ajo vuri re mesazhin, kryeministrja mori menjëherë kreu testin i cili rezultoi negativ. 

Sipas udhëzimeve finlandeze  kushdo me një dozë të dyfishtë të vaksinës nuk ka nevojë të izolohet nëse bie në kontakt me një rast pozitiv.

Megjithatë, sipas të përditshmes finlandeze Helsingin Sanomat , udhëzime të veçanta për ministrat dhe punonjësit e qeverisë rekomandojnë gjithashtu kufizimin e kontakteve sociale menjëherë pas kontaktit.

 Duke folur me gazetarët, Marin tha se nuk i ishte dhënë ky udhëzues.

Politikanët e opozitës janë shprehur se Marin duhet të kishte dhënë një shembull të mirë duke u izoluar vullnetarisht në vend që të shkonte në klub.

 "Ishte e papërgjegjshme," tha Mia Laiho, deputete e Partisë së Koalicionit Kombëtar