Daja ankohet për humbjen me Vllazninë: U zhdukën topat rreth qark fushës, u vonua loja

Ilir Daja ka folur në emisionin Gol Pas Goli në Supersport, teksa ka komentuar ndeshjen e humbur me rezultatin 1-0 ndaj Vllaznisë ndërsa ka theksuar se pas kartonit të kuq në fushë u zhdukën topat dhe nisi të vonohej loja, ndërsa tekniku i të kuqve shton se në momentin e fundit skuadra duhet të jetë më altruiste.

Si t’u duk ekipi me një lojtar më shumë në fushë? “Ka qenë një pjesë e parë jo në nivelin e duhur, në pjesën e dytë e nisëm mirë. Në 20 minutat e fundit, nuk i shkon një ekipi si Vllaznia të vonojë lojën. Nuk e di nëse u luajtën 7 apo 8 minuta. Pas kartonit të kuq u zhdukën topat rreth qark fushës, pastaj nëse ulet ritmi atëherë ka diçka që nuk shkon. Nuk i shkon Vllaznisë. Sulmi? Junior punon shumë, është pikë referimi dhe shërben për të tjerët. Ne duhet t’i shërbejmë më shumë atij, ta nxjerrim para porte. Të jemi më altruistë në momentin e fundit”.

Asnjë rast i pastër goli? “Pavarësisht se kemi disa lojtarë të rinj në organikë, bëjmë një pressing të lartë dhe këtë ndeshje e përgatitëm për dy ditë. Një nga armët ishte të mos e linim Vllazninë të organizonte lojën, kjo pjesë u realizua mirë. Nuk jam dakord që nuk kishim rast konkret se Mala u shfaq disa herë”.

Pësoni gol nga goditja standarte, ishte mospërqëndrim? “Te goli nuk ishte e duhur lëvizja e linjës së parë të mbrojtjes, këta duhet të lëvizin diagonalisht dhe të mos e lejonin Gurishtën të merrte topin. Ne punojmë për këtë, por edhe kundërshtari merr masat. Nuk është problem se është një gol që vjen pas shumë javësh, ditëm që një ekip si Vllaznia ta mbanim në gjysmëfushën e saj dhe ta detyronim të bënte faullin taktik dhe të mbetej me 10 veta. Treguam që dimë të reagojmë dhe nuk pajtohemi me disavantazhin”.

Sa dëmtohet atmosfera në skuadër pas kësaj humbje? “Nëse nuk do tregonim lojë atëherë do të kishim problem, por Vllaznia është pretendente dhe të luash brenda në Shkodër në gjysmëfushën e tyre nuk ka për të ndikuar te lojtarët. Asnjë ekip tjetër nuk e ka mbajtur Vllazninë në gjysmëfushën e tyre”, u shpreh Daja.