Kurrë më lehtë s’ka qenë me bo dashuri... dhe para!

Dashuria, padyshim është një nga ndjenjat më të bukura që mund të përjetojë secili njeri. Të dashurosh nënkupton të dedikohesh, ta shijosh e ta gëzosh atë që ta jep partneri/ja, por, në të njëjtën kohë edhe atë që merr nga ana e tij apo e saj.

Nga Erdonit Hoxha, SYRI KOSOVA.

Duke qenë sot është shumë e lehtë të dashurosh, pasi, nuk ekzistojnë ato ‘pengesat’ e dikurshme, prapë se prapë, po krijohet përshtypja se njerëzit kanë nevojë për forma tjera se si të dashurohen.

E, këtë përshtypje, e kanë krijuar pikërisht televizionet shqiptare, të cilat së fundmi kanë nisur të bëjnë emisione në emër të dashurisë, duke u munduar kështu që të krijojnë takime e çifte mes të rinjve.

‘Për’puthën’, ‘Love Story’, ‘It’s my love me Valonin’, ‘It’s my love me Kikën’ e ‘My love story’ janë disa nga emrat e këtyre emisioneve, fabula e të cilave është që të mësojnë njerëzit si të dashurojnë, por, në fakt, po nxjerrin diçka tjetër, paksa të frikshme, e që është “dashuria” në çifte të rrejshme.

Këtë fjalinë e fundit, mund ta argumentojmë një shembull ilustriv. Tea dhe Andi janë dy protagonistët që nga ‘Për’puthën’ e sezonit të kaluar dolën si çift, por, më pas u zbulua se Tea ishte në lidhje me Beartin, djalin tjetër të këtij realityshou, kurse, Andi ishte me Melisën, njashtu konkurrente e të njëjtit spektakël.

Kur themi se doli një çift i rrejshëm, bazohemi te deklarata e Teas e cila tha se produksioni kishte njohuri për lidhjen e saj me Beartin, ani pse ajo ishte akoma në program, duke u ‘njohur’ me Andin, por, prapë se prapë loja u vazhdua, pasi emisionet që xhiroheshin e lajmet që bëheshin për protagonistët, veç sa rrisnin shikueshmërinë e këtij realityshout.

Edhe skenat dramatike që zhvillohen në këto programe, ku konkurrentët shahen, ofendohen, e besa edhe rrahën mes vete, janë pikërisht këto skena që po e mbajnë audiencën lidhur me këto emisione.

Pra, në vend të dashurisë, programet e ‘dashurisë’ në fakt po nxjerrin një gjuhë seksiste e të dhunshme, krejt këto për ‘show’, ani pse qëllimet e tilla nuk i pranojnë asnjëherë!

Se ka filluar t’iu bie interesimi pak a shumë për këto emisione, ka filluar. Krejt kjo po vërehet nga komentetet që publiku lë në këto emisione në Youtube.

Pra, po kuptohet se shumica prej konkurrentëve të këtyre emisioneve po shkojnë veç për të bërë famë, për t’iu ‘fluturuar’ ndjekësit në rrjetet sociale, kështu, më pas ta kapin ndonjë hapësirë televizive në ndonjë emision, të hapin ndonjë biznes, të marrin pjesë në ndonjë reklamë, apo, klip të ndonjë artisti.

Pra, në emër të dashurisë, me lojëra e show, të depërtojnë më lehtë në synimet e tyre në të ardhmen.

Lojë në emër të kësaj ndjenje të bukur po bën së fundmi edhe Big Brother VIP, ani pse jo tamam format ‘love story’.

Trekëndëshi Beatrix-Donald-Bora, pikërisht siç quhet edhe shfaqja ‘Një burrë mes dy grash’, është pikërisht shfaqje e BBV-së, që së fundmi është komentuar së tepërmi.

Çka nënkupton gjithë ky komentim e kjo famë për këto emisione?

Para. Pikërisht, për para fillon, vazhdon e mbaron gjithçka që publikohet i serohet publikut, në emër të dashurisë.

Kur emisioni ka vëmendje, bizneset kanë leverdi për të reklamuar, e çdo reklamë padyshim më pas i paguhet mirë televizionit që e transmeton atë emision.

Emisionet e tilla që kalojnë shifra marramendëse me shikime në Youtube, padyshim që fitojnë shumë, pasi, shikimet e tilla përkthehen në para që jep kanali në fjalë.

Duke qenë kaq të interesuar se kush me kë u nda, u bashkua e u përputh, nuk mungojnë më pas as kryqëzimet për personazhe të caktuara, nga ana e publikut.

Sidoqoftë, rroftë leku, të tjerat kalojnë!