‘U akuzua se fshehu 50 mijë euro’/ Faktet e reja i nxjerrin në pah pronën 700 milionshe prokurorit

Disa ditë më parë, prokurori i Gjirokastrës Emëror Kasaj u akuzua se ka fshehur borxhin prej 50 mijë Euro duke mos e deklaruar pranë ILDKPKI, që në fakt përbën vepër penale dënimi i së cilës shkon deri në 7 vite burg.

Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi sot të tjera fakte për pasurinë e prokurorit Emëror Kasaj.

Në deklaratën e pasurisë të vitit 2015 prokurori i Gjirokastrës ka deklaruar blerjen e një toke arë 1000m2 dhe një objekti të ndërtuar në të me vlerën e 50 milionë lekëve të vjetra në vitin 2010.

Emisioni investigativ ka siguruar dy dokumente; kontratën e blerjes së tokës dhe deklaratën noteriale të objektit.

Në to ka parregullsi, pasi vlera e tokës nuk i është referuar çmimit të referencës dhe vlera e objektit nuk pasqyrohet.

Kjo fshehje e të ardhurave është e dukshme, pasi kjo pronë realisht nuk vlen 50 milionë Lekë të vjetra.

Stop disponon dy akte ekspertimi që janë bërë pikërisht për vlerën e referencës së tregut mbi këtë pronë.

Sipas ekspertes, vlera e saj është rreth 700 milionë Lekë të vjetra dhe jo 50 milionë Lekë të vjetra, siç e ka deklaruar prokurori Emëror Kasaj në formularin e pasurisë.