Manjani: Zgjedhjet vendore janë çështje politike, të mos pritet zgjidhje nga Kushtetuesja

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, i ftuar në emisionin A Show të moderatorit Adi Krasta në Syri TV, foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit.

Manjani theksoi se zgjedhjet vendore janë çështje politike, për të cilat nuk duhet pritur zgjidhja nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Shqipëri është çështje politike. Çështja e mbajtjave lokale është më shumë se politike, sepse janë zhvilluar në situatë të paprecedentë. Komunitetet lokale nuk përfaqësohen siç duhet. Kushtetutesja ka zgjidhur ato çështje që ka pasur objekt. Zgjedhjet lokale janë çështje politike.

Zgjedhjet t’i zgjidhë si problem nuk ia kërkon dot Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet vendore janë çështje politike dhe partitë duhet të gjejnë zgjidhje politike për këtë gjë. Për të folur qartë, Shqipëria ka nevojë për zgjedhje lokale të tjera, që komunitetet të përfaqësohet siç duhet, sepse janë të shqiptarëve. Janë gënjyer njerëzit, gjysma e popullsisë nuk votoi. Gjysmës së njerëzve u duhet dhënë një mundësi që të votojnë, nëse nuk vjen zgjidhja politike, mos e kërkojnë tek GJK”, u shpreh Manjani.