Bylykbashi zbulon statutin e ri të PD: Jo më Kryesi të komanduar, vetëm organe të zgjedhura me votë

Deputeti Oerd Bylykbashi, mbështetës i 'Foltores' së ish-kryeministrit Sali Berisha, zbulon detaje nga statuti i ri i PD, që pritet të miratohet në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Bylykbashi tha se nuk do të ketë më funksione të komanduara në PD, por çdo strukturë do të zgjidhet me votë. 

Rikthimi i primareve është gjithashtu një element i premtuar nga Berisha gjatë foltoreve dhe do të jetë në statutin e ri, tha Bylykbashi. 

"Zoti Basha i ktheu organet kolegjiale që janë mbi të, më tepër si evente se sa organe efikase dhe vendimmarrëse. Ne do të kthejmë që më shumë se sa zgjedhja e organeve me organe ex officio, për shkak të një detyrë tjetër je edhe diku tjetër, do t'i kthejmë në organe që zgjidhen nga vota e partisë, nga vota e kuvendeve të degës, të cilët do të caktojnë se kush janë përfaqëesit më lart. Ne do të vendosim instrumentin e referendumit. Do të ketë gjithmonë e më shumë referendume në parti për çështje të rëndësishme. Do të futen votimet primare, kandidaturat do të zgjidhen nga votat e anëtarësisë. Zgjedhjet në seksione, grupseksione, për kryetarin e degës, do të zgjidhen me një anëtar, një votë.  

Pra, fuqizimi i anëtarësisë në përzgjedhjen e funksioneve politike të deleguara, fuqizimi i organeve kolegjiale, pra do t'i hiqen kompetencat ekzekutivit sidomos atij monokratik, do t'i dërgohen gjithmonë e më shumë kompetencat vendimmarrëse organeve kolegjiale, Kuvend, Këshill Kombëtar, Kryesi. Dhe sigurisht do të përpiqemi që në të gjithë këtë të kemi harmonizim dhe ndarje të qartë pushtetesh", tha Bylykbashi.