Vdekja e shqiptarit në burgjet greke, Guri: Ka versione të ndryshme për ngjarjen, të zbardhet sa më parë

Përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare në Greqi, Edmond Guri, në intervistë me Skype me moderatoren Armela Ferko në Edicionin e Pasdites në Syri Tv, foli për vdekjen e shqiptarit Adem Rusi në Greqi.

Guri theksoi se ka versione të ndryshme për vdekjen e Adem Rusit, duke shtuar se duhet që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe se autoritetet shqiptare të punojnë për të bërë të mundur zbardhjen e ndodhisë së rëndë.

“Mediat greke shkruajnë se Adem Rusi ka vrarë veten me lidhëse këpucësh. Më shumë kanë reaguar gazetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, si Shpëtim Zinxhiria. Edhe këtu ka versione të ndryshme, disa thonë se vrau veten në automjetin e burgut të policisë dhe disa media të tjera në rrethana të tjera. Disa portale kanë thënë se ka nisur hetim, por asgjë nuk është serioze, në Greqi kur ka hetim të brendshëm, nuk del informacioni i pastër.

Duhet të zbardhet ngjarja e rëndë. Fatkeqësisht, kur shqiptarët në burgjet greke varin veten ose vdesin në rrethana të dyshimta, zakonisht nuk ka raportim të gjerë, sidomos në media me rëndësi greke, duke iu lënë gjithmonë në hije. Shteti shqiptar duhet të kishte konsulencë ligjore pranë ambasadës shqiptare në Greqi, që të mund të kemi edhe drejtësi. Pak vite më parë, Ilir Karelin e vranë gardianët dhe drejtësia greke ledhatoi atë që kryen ngjarjen e rëndë”, u shpreh Guri.