FOTO/ Sekuestrohen 39 mijë euro dhe një pajisje për prodhimin e Bitcoin në Morinë

Policia Kufitare Kukës dhe autoritetet doganore, kanë sekuestruar 39 000 euro dhe një pajisje për prodhimin e kriptomonedhave në Morinë. 

"Si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Kukës dhe autoritetet doganore, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin B. B., 33 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut", bën të ditur policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, janë gjetur dhe sekuestruar 39 000 euro, të cilat 33-vjeçari nuk i kishte deklaruar, si dhe një pajisje që dyshohet se përdoret për prodhimin e kriptomonedhave.  

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, B. B., për veprën penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi".

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.