A e bën dot Berisha Reagan-in?

Në vitet 80’ SHBA-të ishin bërë praktikisht një vend i majtë. Në gjysmëshekullin e fundit, Shtëpia e Bardhë ishte qeverisur plot 35 vjet nga demokratët, ndërkohë që në Kongres dominimi i tyre kishte qenë edhe më absolut.

Ne qarqet e elitës intelektuale amerikane, në atë kohë, mbizotëronte konsensusi se konservatorizmi kishte vdekur dhe tashmë ishte një rrymë e parëndësishme në jetën politike. Prova më e fundit ishte dështimi i Barry Goldëater në primaret brenda Partisë Republikane.

Kriza politike e së djathtës dhe monopartitizmi nuk janë ngjashmëria e vetme e Amerikës së viteve ‘80 me Shqipërinë e sotme. Qeverisja e gjatë e së majtës kishte avancuar një sërë politikash, që kishin shkundur jetën sociale të vendit, veçanërisht axhenda gay dhe politikat feministe. Këto ndryshime kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha te komunitetet fetare të SHBA-ve.

Nga ana tjetër, taksat e larta dhe shtrëngimi i darës rregullatore kishin mërzitur jo pak elitën koorporatiste amerikane dhe biznesin në tërësi. Së fundmi, në atë kohë Shtetet e Bashkuara vuanin nga një kriminalitet i lartë, veçanërisht krimet e natyrës ordinere mbi qytetarët dhe familjet amerikane.

Me pak fjalë, pakënaqësia ndaj qeverisjes të së majtës ekzistonte, por ishte e fragmentarizuar dhe deri në atë kohë askush nga e djathta politike nuk kishte arritur ta kanalizonte këtë pakënaqësi në votë popullore.

Në vitin 1975, Ronald Reagan tentoi të siguronte kandidimin për në Shtëpinë e Bardhë, por humbi në primare ndaj Gerald Ford. Baza republikane mendoi se Reagan ishte i moshuar dhe nuk mund të arrinte t’i siguronte Partisë fitoren. Por 5 vjet më vonë, aktori i dalë në pension u rikthye.

Presidenca e Jimmy Carter kishte qenë problematike. Kriza e ekonomisë amerikane i ishte mbivendosur pakënaqësive të tjera sociale. Reagan arriti të merrte besimin e republikanëve në primare, por mbi të gjitha arriti të siguronte mbështetjen e të gjitha grupeve të rëndësishme të interesit, që ishin të lodhur nga politikat e majta duke filluar nga komunitetet fetare, biznesi, por edhe familjet e trembura nga kriminaliteti dhe të terrorizuara nga “forcat satanike të liberalizmit”. Ajo që ndodhi më pas, dihet.

Ronald Reagan është ndoshta presidenti më i suksesshëm i SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore. Ai arriti t’i jepte fund krizës ekonomike duke e rikthyer ekonominë amerikane në kapacitet të plotë, reduktoi kriminalitetin e brendshëm dhe forcoi ndikimin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare. Por arritja më e madhe e presidencës së Reagan-it ishte se ajo shpëtoi SHBA-te nga monopartitizmi faktik. Reagan e ktheu Amerikën djathtas. Jo vetëm duke rihapur sërish garën, por duke e detyruar edhe Partinë Demokratike që të zhvendosej më djathtas.

Shqipëria është sot në një situatë identike me atë të SHBA-ve në vitet 80’. Kjo ngjashmëri është e dukshme në avancimin e politikave liberale me karakter ateist, që sulmojnë familjen tradicionale. Së dyti është e dukshme në politikat antibiznes dhe antitreg, që ndryshe nga SHBA-të, në Shqipëri shfaqen përmes crony-kapitalizmit dhe kapjes së shtetit. Po kështu, kriminaliteti dhe korrupsioni janë probleme madhore, që me gjasa do të përkeqësohen më shumë nga mungesa e garës politike. Por ngjashmëria më e madhe është sigurisht ambienti politik.

Me Partinë Socialiste prej 12 vitesh në pushtet dhe opozitën në krizë të thellë, Shqipëria po lundron në ujërat e rrezikshme të monopartitizmit. Për një demokraci hibride, ky është rreziku më i madh i mundshëm. Dhe është një rrezik që dikush do të duhet ta thyejë. A është Sali Berisha njeriu me i përshtatshëm për ta bërë këtë? Ndoshta jo. A mundet ai ta bëjë dot? Ndoshta jo. Por të gjithë ne duhet të shpresojmë që të paktën lëvizja e Berishës të arrije të shkundë ambientin politik. Përndryshe, sic thonë amerikanët, “we’re all fucked up”. Fundja, kjo është Shqipëria. Reagan-ët nuk kemi ku t’i gjejmë.