Selia e BE, Policia belge shpërndan me ujë dhe gaz lotsjellës protestuesit për COVID-19

Bruksel - Policia belge përdori topa uji dhe gaz lotsjellës të dielën për të shpërndarë disa protestues të zhurmshëm në Bruksel, pasi shumica e demonstruesve marshuan në mënyrë paqësore për të protestuar ndaj shtrëngimit të kufizimeve për COVID-19, që synojnë të parandalojnë rritjen e infeksioneve me koronavirus.

Mijëra njerëz dolën për të hedhur poshtë masat e reja të shpallura të premten, java e tretë me radhë që qeveria ka shtrënguar rregullat e saj pasi një ortek rastesh të reja tensionoi shërbimet shëndetësore të vendit, duke privuar nga trajtimi njerëzit me sëmundje të tjera kërcënuese për jetën.

Duke thirrur “Liri! Liri!” dhe duke mbajtur pankarta që shkruanin, "Të bashkuar për lirinë, të drejtat dhe fëmijët tanë", protestuesit marshuan drejt selisë së Bashkimit Evropian. Disa mbanin gjithashtu mesazhe kritike ndaj vaksinave dhe kundër bërjes së detyrueshme të vaksinave.

Turma kryesore në marshimin kryesisht paqësor të së dielës ishte shpërndarë tashmë kur rreth 100 protestues u përplasën me një barrikadë të policisë së ndërhyrjes së shpejtë që rrethonte hyrjen në Komisionin Evropian.

Pas një përplasjeje të shkurtër me policinë, protestuesit ngritën barriera me kosha mbeturinash dhe objekte të tjera, duke përfshirë një biçikletë, në drejtim të policisë dhe hodhën fishekzjarre.

Policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar.