Realizoi golin e tretë në kampionat, flet Broja: Zhgënjim i madh, duhej të kisha shënuar gola të tjerë

Armando Broja nuk ndalet së shënuari me skuadrën e Southampton në Premier League. Sulmuesi kuqezi shënoi sërish ditën e sotme për ekipin e tij në ndeshjen kundër Brighton, e cila për fatin e tij të keq përfundoi në barazim 1-1, pasi miqtë arritën të gjenin rrugën e rrjetës.

Vetë lojtari i shpreh i zhgënjyer pas sfidës që ekipi kishte humbur dy pikët, ndërsa bëri edhe autokritikë për rastet e tjera që kishte shpërdoruar.

“Është një mëkat. Ndjej se e meritonim të merrnim tre pikët, mendoj se dominuam ndeshjen por është një grusht në stomak të pësosh ashtu në minutën e fundit.

Ne luajtëm shumë mirë sot, mund të shënonim edhe gola të tjerë, Unë mund të kisha shënuar në dy raste që kisha, por në një ndeshje tjetër e di që mund të bëj më mirë në situata të tilla.

Do të vazhdojmë të punojmë si skuadër dhe të vazhdojmë të zhvillohemi. Kemi një grup të mirë djemsh të cilët po punojnë bashkë dhe shpresojmë të sigurojmë pikë të tjera. Na pëlqen që të nisim ndeshjet si skuadër, të bëjmë presing e të jemi agresivë, gjë që e treguam që në minutën e parë.

Ne ishim përpara dhe ata nuk mund të luanin futboll, ndaj ishte gjë e mirë që shënuam shpejt. Por është një zhgënjim i madh për mënyrën se si përfundoi ndeshja. Mund të marrim gjëra pozitive nga kjo ndeshje, por duhej të kishim tre pikë. Megjithatë, do të marrim këtë pikë dhe vazhdojmë përpara”, tha Broja pas përfundimit të duelit.