Klasikja e Gjermanisë i takon Bayern Munich, bavarezët mundin Dortmundin mes spektaklit dhe polemikave

Klasikja e Gjermanisë i takon Bayern Munich. Skuadra e drejtuar nga Julian Nagelssmann triumfoi me përmbysje 3-2 ndaj Borussia Dortmund në Signal Iduna Park, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të në Bundesliga.

Borussia e nisi mirë ndeshjen, teksa në minutën e pestë kaluan në avantazh, me anë të Julian Brandt. Por avantazhi i verdhezinjëve zgjati vetëm katër minuta, pasi Robert Lewandowski vendosi shumë shpejt baraspeshën.

Në fund të pjesës së parë Coman shënoi golin e përmbysjes për Bayernin, por kjo zgjati deri në minutën e tretë të pjesës së dytë, pasi Haaland shënoi golin e barazimit dhe gjithçka nisi nga e para.

Në të 53-tën Reus u rrëzua në zonë pas kombinimit me Haaland, por kryesori nuk akordoi 11-metërsh, duke irrituar verdhezinjtë.

Momenti kyç i ndeshjes ishte në minutën e 76-të kur Hummels preku topin me dorë në zonën e rreptësisë dhe gjyqtari Zwayer e drejtoi menjëherë gishtin nga pika e bardhë e penalltisë sapo mori konfirmimin nga dhoma e VAR-it.

Ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër Robert Lewandowski dhe ndonëse portieri i Borussias i “lexoi” krahun, në fund nuk arriti ta presë goditjen e tij. Ky ishte goli i 16-të sezonal për sulmuesin polak.

Bayern mbetet në vendin e parë me 34 pikë, katër më shumë se Borussia Dortmund në vendin e dytë.

Rezultati dhe golashënuesit:

Borussia Dortmund - Bayern 2: 3 (Brand 5', Haaland 48' - Lewandowski 9', 77', Coman 44')