Politikës së dinakërisë dhe besimit të verbër i ka ardhë fundi!

Është koha që Partia Demokratike dhe anëtarësia e saj të qartësojnë vizionin e tyre dhe përcaktojnë se cila është rruga reale e përfaqësimit politik. 

Janë shumë probleme që Partinë Demokratike duhet ta lëvizin, ta motivojnë, për t’u përgatitur për zgjedhjet, ndryshe freskimet joreale apo zëvendësimet në politikë mbi bazën e luftës për të marrë privilegjet që realisht nuk i përfaqësojnë janë të dëmshme dhe pa interes për elektoratin e djathtë. 

Drejtuesat e kësaj partie politike i kanë borxh anëtarësisë së saj t’i përgatisin një ambient të sigurtë për të realizuar synimin që në zgjedhjet e ardhshme të hyjë me freskim e reformim dhe një program për t’i fituar këto zgjedhje.  

Kryetari i PD-së duhet të krijojë hapësirën, pasi ka ardhur koha që politika reale t’i lërë vendin arsyes e racionalitetit, për të mbyllur shtegun për dinakët e të pabesët, kur gjendet në mes dinakërisë dhe besimit të verbër. 

Jetës politike në Shqipëri nuk i duhen zëvendësimet apo freskimet në emra, por i duhen freskime që i sjellin cilësi politikbërjes, në baza programore dhe përfaqësuese, në ndërtim të një shteti demokratik, i cili zbret deri në elektoratin e ndershëm kudo në bazë, si dhe në shpërndarjen e pasurisë elektorale e zgjerimin për të gjithë njerëzit e jo vetëm tek të privilegjuarit partiakë. 

Objektivi i qytetarëve të këtij vendi është për të ecur drejt integrimit në BE i cili po cenohet nga bërja e hapave false politike, nga moskonsolidimi i demokracisë, shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik dhe reformave në të gjitha fushat, me një sistem gjyqësor të brishtë e në shumë raste edhe të korruptuar, me arsim ku dija blihet e nuk fitohet, ku për  çdo ditë shkelet shtresa e mesme dhe e varfër e shoqërisë. 

Në një vend ku çdo ditë ngrihen apo publikohen të dhëna se ky zyrtar apo ai zyrtar dyshohet për shpërdorim të detyrës zyrtare është e vështirë të arrihet edhe besimi i qytetarëve. 

Partia Demokratike duhet ta qartësoj vullnetin e saj në gatishmërinë për të ndryshuar këto gjëra dhe me këtë qartësi fitoren në zgjedhjet e ardhshme, nuk do ta ketë të vështirë.

*Anëtar Këshilit Kombetar të PDSH-së