Kosovari i akuzuar për terrorizëm mori me vete gruan, dy vajzat dhe nusen e djalit në Siri

Prishtinë - Prokuroria Speciale njofton se ndaj N.L. ka ngritur aktakuzë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Sipas njoftimit, i akuzuari N.L. fillimisht kishte shkuar vetëm në Siri ku pasi kishte kryer ushtrimet taktike ushtarake dhe kishte marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ndërsa në vitin 2013 ishte kthyer në Kosovë për të marrë me vete gruan, vajzat dhe nusen e djalit për t’iu bashkuar ISIS-it.

Aktakuza thotë se i pandehuri N. L. përgatitjet taktike ushtarake i kishte kryer më herët ku kishte marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë  deri më datën  28 prill 2013, kur ishte kthyer në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ai, pas ardhjes në Kosovë ishte nisur përsëri në drejtim të Sirisë, por me vete kishte marrë edhe gruan, dy vajzat dhe nusen e djalit me qëllim që t’i bashkoheshin organizatës terroriste “Gjabat Al Nusra”.

Së bashku me bashkëshorten e tij F.L, dy vajzat dhe nusen e djalit E.K kanë kaluar ilegalisht kufijtë dhe janë pritur nga pjesëtarët e ISIS-it për të hyrë në Siri.

Fillimisht kanë kaluar në qytetin Bablimon e më pas në qytetin Gjerablus ku janë pritur nga djali i të akuzuarit B. L. dhe një person tjetër të cilët e kishin pajisur me një pushkë automatike dhe municion e kishte marrë pjesë aktive në luftërat civile.

Pastaj, ishte dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane deri në korrik të këtij viti, kur u riatdhesua në Kosovë.