Rrezikojnë t’ju prishen shtëpitë/ Banorët e Laprakës: Ulsi Manja të hetojë korrupsionin

Pasditen e sotme banorët e Laprakës kanë dalë në një protestë për të kërkuar dëmshpërblim me çmimin e referencës për shtëpitë e tyre që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

Banorët në shenjë të protestës e kanë bllokuar rrugën.

 Një prej banorëve të zonës i ka kërkuar autoriteteve që të zhvillojnë bisedime për të arritur një marrëveshje, në të kundërt nuk do të lejojnë që të prishen shtëpitë e tyre.

“Ta harrojnë qeveritarët se do ta kalojnë lehtë me banorët e Laprakës nuk do të dorëzohemi. Ulsi Manja të hetojë këtu korrupsionin në këtë projekt abuziv. Artan Lame duhet të dërgohet përballë drejtësisë për shkeljet që ka bërë me kadastrën.

Nuk pranon askush nga ne banesë sociale, apo bonos qeraje për dy vite dhe më pas na leni në rrugë. Këtu kemi bërë investimin e një jete dhe njerëzit nuk do të pajtohen. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të shemben banesat. Eja ulemi gju më gju me ne dhe gjejmë një marrëveshje dhe pastaj le të përfundojë unaza. Ne kërkojmë cmim reference kaq duam”, tha banori.