Rreziku ruso-kinez në rajon, Rama tallet me shqetësimin e SHBA dhe BE

Kryeministri, Edi Rama në një debat me ish-ministrin e Jashtëm, Tritan Shehu, për “Ballkanin e Hapur” në parlament, ka mbrojtur hapur, por pa argument thelbësore nismën në të cilën deri më tani është përfshirë vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Duke pretenduar se Ballkani i Hapur është vetëm një shtojcë e Procesit të Berlinit, Rama është tallur në fjalën e tij me shqetësimin e kancelarive dhe të shërbimeve inteligjente perëndimore, për shtrirjen e  interesave të Rusisë dhe të Kinës në rajonin tonë, kundrejt atyre Euro-Atlantike.

“Jo Kina, jo Rusia, jo shejtani…”, ironizoi kryeministri alarmin e gjithë botës perëndimore për rrezikun rus e kinez në rajonin tonë.

“Është një hapësirë ku unë synoj që të zbatohen 4 liritë e BE-së, krahasimi që i bëni me Jugosllavinë është një lojë fjalësh e panevojshme, për mua kjo nismë është një interes kombëtar. Dua t’ju shtoj dhe diçka tjetër, po ju them këtë që se janë disa pyetje që lidhen me Kinën, jo Kina, jo Rusia, jo shejtani. Unë di që Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi e Procesit të Berlinit, ne i kemi ftuar të gjitha shtetet që të bëhen pjesë, Kosova humbet duke munguar në atë tryezë. Unë di që historia tregon se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike”, ka deklaruar Rama.