VIDEO-SYRI TV/ KLSH: 120 institucione me risk të lartë korrupsioni, kryeson Shëndetësia dhe QSUT

Kontrolli i Lartë i Shtetit nga 120 institucione që ka audituar, 50 % prej tyre rezultojnë me risk të lartë në menaxhimin e fondeve publike. Lista kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe nga ndërmarrjet publike, kryesisht në fushën e energjisë.

Nga SYRI TV

Rreth 50 për qind e institucioneve janë me risk të lartë në procesin e zbatimit të ligjit e për rrjedhojë edhe në menaxhimin e fondeve publike. Klasifikimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) që ka audituar 120 institucione këtë vit.

Lista kryesohet nga ministritë e linjës dhe institucionet në varësi të tyre dhe nga ndërmarrjet publike, kryesisht në fushën e energjisë. Lista e institucioneve me rrezik u kryesua nga Ministria e Shëndetësie, e cila u ndoq nga Qendra Spitalore ‘Nënë Tereza’.

Më tej në radhë vijnë Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria për rindërtimin, Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare Burimeve Natyrore (AKBN), Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSHI), Ministria e Bujqësisë, AZHBR, KQZ-ja, Shërbimi i provës, Koncesioni ‘Rruga e Arbrit’, Drejtoria e Policisë.

Me rrezik të lartë në zbatimin e ligjit u vlerësuan gjithashtu spitalet kryesore publike në vend, kompanitë e Energjetikes, OST, OSHEE, Albetrol, Drejtoria e Ujësjellësve.

KLSH vlerësoi me rrezik të lartë për përputhshmërinë me ligjin disa projekte të mëdha në investimet publike dy prej të cilave koncesione PPP. Psh koncesioni i rrugës së Arbrit dhe Inceneratorit të Tiranës u vlerësuan me rrezik të lartë, gjithashtu në këtë nivel risku u vlerësua investimi në rrugën e re Qukës-Qafë-Plloçe, kostot e së cilës kanë dalë jashtë kontrollit.

Me rrezik të lartë zbatimi u vlerësua edhe projekti ‘Lidhja e rrugëve sekondare dhe lokale: që nisi në vitin 2018, projekti ‘Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor’ 2025, projekti ‘Furnizimi me ujë i zonave rurale III’.