Gaz Bardhi fyen sërish anëtarësinë e PD: 60% e delegatëve kanë firmosur për një teke raki

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi vazhdon të fyejë me fjalor të padenjë anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe mbi 5 mijë delegatët. 

Në një prej daljeve të fundit në media, të cilën Syri.net e sjell me zë dhe figurë, Bardhi ka deklaruar se 60% e atyre që kanë firmosur për Kuvendin Kombëtar të PD në datën 11 dhjetor e kanë bërë një gjë të tillë në këmbim të një teke raki.  

Pjesa tjetër, vijon më tej Bardhi, e kanë firmosur për shkak se iu është thënë se të kemi bërë nder kur PD ishte në pushtet, me vende pune apo pozicione drejtuese. 

"Po ju dëshmoj një tjetër pohim të një kryetari dege që është bashkuar me lëvizjen e Berishës në mbledhjen me 70 kryetarë degësh, në degën time tha kanë firmosur 60% të delegatëve. Por tha këto 60% nuk dinë çfarë kanë firmosur sepse iu është vënë një teke raki përpara, kanë kthyer teken e rakisë dhe kanë hedhur firmë pa e ditur fare, 20% kanë firmosur për hatër se iu është kujtuar që të kemi punësuar këtu, ke qënë drejtor këtu...", ka thënë Gazment Bardhi në 'Real Story'. 

Pas deklaratave të njëpasnjëshme fyese dhe poshtëruese në drejtim të anëtarësisë dhe delegatëve demokratë, kuptohet qartë që Gazment Bardhi nuk ka më asnjë lidhje me bazën e partisë. 

Sikundër ai nuk pranohet më si i tillë, për pozicionin që ka në PD, as nga demokratët më të thjeshtë, e jo më anëtarët apo delegatët e Kuvendit Kombëtar. 

Me sa duket si Lulzim Basha ashtu dhe Gazment Bardhi po përgatisin terrenin që t'i largojë anëtarësia përfundimisht nga PD në 11 dhjetor dhe jo me vullnet të lirë, edhe pse kjo e fundit do të ishte zgjidhja më e mirë dhe do të ishte në nder të tyre.