Lukaku këshillon shokun e skuadrës të transferohet tek Interi

Interi po garon në të gjitha frontet dhe trajneri Simone Inzaghi kërkon të ketë në dispozicion një kontingjent sa më të pasur lojtarësh, teksa po pret përforcime nga merkato e janarit.

Drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë vepruar shpejt dhe janë afër një goditje në prapavijë.

Flitet për Malanga Sarr, qendërmbrojtësin 22-vjeçar të Chelseat, i cili mund të luajë edhe në krahun e majtë.

Francezi nuk po fiton besimin e Thomas Tuchel, i cili e ka aktivizuar vetëm një ndeshje në Premier League, atë ndaj Brentford në transfertë.

Mediet italiane shkruajnë se lojtari me origjinë senegaleze nuk u grumbullua nga trajneri gjerman për takimin e ditës së djeshme ndaj United në kampionat dhe përfitoi të fluturonte drejt qytetit të modës për t’u marrë personalisht me këtë operacion.

Kalimin tek Interi po e pret me padurim, teksa bëhet e ditur se Romelu Lukaku, me të cilin ka miqësi dhe të njëjtin agjent (Federico Pastorello), e ka këshilluar lojtarin defensiv të transferohet në Milanon zikaltër.

Interi e kërkon në huazim Sarr, “Blutë e Londrës” janë dakord dhe operacioni i transferimit të lojtarit në Serie A është çështje ditësh. Në akordin mes palëve pritet të përfshihet opsioni i blerjes së lojtarit nga Interi në fund të sezonit për një shumë rreth 15 milion euro.

Sarr dëshiron të luajë dhe është entuziast për kalimin te kampionët e Italisë, ndërsa Inzaghi shpreson që marrëveshja finale të arrihet sa më shpejt dhe të ketë lojtarin afrikan nën urdhrat e tij në muajin janar.